E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga policit rrugor, vodhi me armë në vitin 1999

 

Gjirokastër, Refat Kanushi akuzohet se ka marrë pjesë në grabitjen me armë të 3 personave nga qyteti i Përmetit

GJIROKASTËR- Një punonjës policie është arrestuar dje nga kolegët e tij pasi dyshohet si autori i mundshëm i një vjedhjeje me armë të ndodhur rreth nëntë vjet më parë. Ka qenë Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër ai që ka bërë të mundur ndalimin, ndërsa vazhdon ende puna për bashkautorët e tjerë të ngjarjes së rëndë. “Vjedhje me armë në bashkëpunim”, është akuza me të cilën do të përballet punonjësi i policisë, Refat Kanushi.

Arrestimi

Ka qenë mbrëmja e së martës, kohë në të cilën 29-vjeçarit, Refat Kanushi, me detyrë punonjës policie në sektorin e qarkullimit rrugor në komisariatin e policisë së Tepelenës i janë vënë prangat nga kolegët e tij. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës kanë bërë të ditur se arrestimi ka ardhur pas nxjerrjes së urdhrit nga organi i akuzës. “Sektori i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm ka bërë ndalimin e shtetasit Refat Kanushi, lindur në Zhapokikë të rrethit Tepelenë dhe banues në fshatin Arshi Lengo të rrethit Gjirokastër. Ndalimi i tij u bë në bazë të urdhrit të Prokurorit të Rrethit Gjirokastër. Edhe gjykata ka marrë ndaj tij masën e sigurisë arrest në burg, për veprën penale të vjedhjes me armë në bashkëpunim”, ka bërë të ditur në lidhje me ngjarjen zëdhënësi i policisë së Gjirokastrës, Gentian Mullai. Ndërkaq, burime konfidenciale nga ky institucion kanë bërë të ditur se arrestimi i policit ka ardhur si rezultat i një pune të gjatë hetimore e operative, në kuadër të nismës së ndërmarrë për zbardhjen e ngjarjeve të vjetra. Kanushi rezulton pjesëmarrës në një grabitje me armë e maska, të ndodhur në vitin 1999.

Ngjarja

Mësohet se ngjarja për të cilën akuzohet Refat Kanushi ka ndodhur në muajin shkurt të vitit 1999, në aksin kombëtar Tepelenë- Gjirokastër. “Ky shtetas dyshohet se më datën 20.02.1999, në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë, nërrugën nacionale Gjirokastër - Ballsh në afërsi të fshatit Vasjar të rrethit Tepelenë, rreth orës 01.00, të mëngjesit, i kanë dalë përpara me maska dhe me armë një automjeti tip furgon nga qyteti i Përmetit, ku udhëtonin 3 shtetas nga Përmeti për në Tiranë”,- kanë bërë të ditur burimet zyrtare në lidhje me ngjarjen. Por, përveç vjedhjes së një shume të konsiderueshme të hollash, rreth 1.2 milionë lekë të vjetra, nën kërcënimin e armëve tri grabitësit kanë ushtruar dhunë dhe i kanë torturuar udhëtarët për rreth katër orë me radhë, deri në zbardhjen e ditës, kohë në të cilën i kanë lënë më tej të lirë. Janë dashur plot nëntë vjet për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë, ndërsa është ende duke u punuar për arrestimin e dy të implikuarve të tjerë në këtë grabitje, të cilët janë identifikuar tashmë, por që për arsye hetimi të dhënat e tyre janë mbajtur të fshehta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›