Brahimi: Luftëtari nuk do të jetë kalimtar në Superligë
Mbrojtësi gjirokastrit, Mikel Brahimi, beson se drejtuesit do ta forcojnë ekipin me lojtarë cilësorë dhe kështu qëndrimi në elitë nuk do të jetë problem
Luftëtari aktivizoi gjatë kampionatit të fundit gjithësej 27 lojtarë. Në 14 ndeshjet e vitit 2011 luajtën 1 portier, 8 mbrojtës, 11 mesfushorë dhe 3 sulmues, gjithësej 23, kurse në 2012-ën u aktivizuan 2 portierë, 7 mbrojtës, 9 mesfushorë dhe 2 sulmues, gjithësej 20. Natyrisht që nuk janë të prerë me thikë, veçanërisht rolet e mbrojtësve dhe të mesfushorëve.
Për kureshtarët mund të themi se mesfushori Grabovaj luajti si zëvendësues 1 ndeshje fazën e parë, po aq sa dhe Lluka, por ky i fundit shpërtheu fazën e dytë, kurse sulmuesi Shehaj u aktivizua si zëvendësues në 2 ndeshje dhe portieri Gërxholli luajti 1 ndeshje të plotë fazën e dytë, pasi Selimaj u bë me 3 kartonë të verdhë.
Nga ekipi i fazës së parë u larguan Pjetrani, Kermezo, Këndella, Lazo, Shehaj dhe Grabovaj, ndërkohë që erdhën Strati, Nino dhe Hithi. Lojtari që luajti më shumë është Selimaj, me 29 ndeshje të plota, kurse i 28-ti është Spiro, i cili, edhe pse emri i ka figuruar në disa protokolle, nuk u aktivizua asnjëherë. Gjatë fazës së dytë, për arsye dëmtimi, nuk u aktivizua Shalari.
Rezulton që repartet më të varfëra janë porta dhe sulmi, megjithëse Nora dhe Raboshta shënuan 37 gola (24 i pari dhe 13 i dyti). Ndoshta duhet parë përbërja e këtyre dy raparteve, megjithëse portieri futet te mbrojtja, pra është një nënrepart dhe dihet që është më delikati, sidomos në Superligë.
Brahimi Një nga mbrojtësit e Luftëtarit është gjirokastriti Mikel Brahimi, i datëlindjes 25.01.1987, që u aktivizua në 16 ndeshje. Për ekipin e Superligës ai thekson se nuk do të jetë kalimtar: Luftëtari zhvilloi një kampionat ndoshta më të suksesëshmin e tij në Kategorinë e Parë, ku di që është 8 herë kampion. Herën e fundit u arrit kjo me një ekip pothuajse Superlige.
Për aq sa kam luajtur, jam përpjekur për t i shërbyer sa më mirë ecurisë së ekipit tonë. Suksesi ishte plotësisht i merituar, pasi në të gjithë aspektet ishim më të mirët. Si në aspektin fizikopsiqik, ashtu edhe në atë teknikotaktik, ishim më të përgatitur se 15 ekipet e tjerë, prandaj dhe me asnjërin nuk jemi inferior. Superliga kërkon përbërje më të fortë dhe punë më intensive, që besoj se do të bëhet dhe kështu Luftëtari nuk do të jetë kalimtar.
