Studenti Skela: Pse jo? E mendoj postin trajnerit të kombëtares
Ish-kapiteni kuqezi, Ervin Skela, si dhe disa kolegë të tij të kombëtares prej ditësh janë ulur në bankat e shkollës duke ndjekur kursin e trajnerëve për të fituar licencën UEFA A
Prej disa ditësh nën drejtimin e federatës ka nisur kursi më i ri për kualifikimin e trajnerëve që kërkojnë të marrin licencën UEFA A, kurs të cilin aktualisht e ndjekin 26 studentë. Falë bashkëpunimit të frytshëm të FSHF-së me federatën italiane, specialistët më me emër, që japin mësim në Koverçiano, kanë dhënë leksione edhe për studentët shqiptarë.
Të shumtë kanë qenë kurset e organizuara nga FSHF në këto vitet e fundit për kualifikimin e trajnerëve shqiptarë. Por ky kurs që po mbahet aktualisht në ambientet e shkollës së Mesme Kombëtare të Futbollit Loro Boriçi, si dhe qendrën stërvitore të ekipeve kombëtare në Kamzë, mund të konsiderohet si auditor kuqezi.
Kjo për faktin se këtë kurs po e ndjekin disa ish futbollistë të ekipit kombëtar, si Ervin Skela, Ervin Fakaj, Arjan Bellaj, Florian Myrtaj, Nevil Dede, Rudi Vata. Disa nga këta e kanë nisur rrugën e trajnimit, por ka edhe të tjerë që më parë presin të shkollohen dhe më pas të hedhin hapin si trajner. Një nga këto është edhe ish-kapiteni i kombëtares, Ervin Skela, i cili ndihet i vlerësuar që është pjesë e këtij kursi, pasi fatazisti vlonjat e ka ndarë mendjen, për të qenë pjesë e futbollit.
Në një prononcim për Sportin shqiptar ish-kapiteni kuqezi nuk e fsheh dëshirën që një ditë të jetë ai trajneri i kombëtares shqiptare. Por Ervin Skela kërkon ti marrë me radhë etapat dhe në fund të jetë i denjë për të drejtuar në nivele të larta.
- Ervin prej disa ditësh keni nisur kursin e trajnerëve për licencën UEFA A. Kjo do të thotë se në një të afërme do ta shikojmë Ervin Skelën në rolin e trajnerit dhe pse jo edhe në krye të kombëtares shqiptare?
Nuk diskutohet, jeta ime që në hapat e para ka qenë futbolli. U bëra profesionist, kjo është ëndrra e çdo fëmije, ëndërr e cila mu realizua. Edhe tani që e kam lënë futbollin e luajtur, jam pranë kësaj loje dhe meqë po më jepet mundësia po ndjek edhe këtë kurs trajnerësh për licencën A.
Jam këtu për të marrë njohuri të reja, eksperienca të reja dhe të vazhdoj këtë rrugë dhe pse jo për tu bërë një trajner i aftë, që të drejtoj edhe në nivele të larta, siç është edhe drejtimi i kombëtares. E mendoj një gjë të tillë, por çdo gjë vjen duke ndjekur hapat e duhur.
-Pas përfundimit të këtij kursi trajnerësh që po ndiqni, ku do ta shikojmë Ervin Skelën?
Nuk di çfarë të them rreth planeve të mija, por dua të falënderoj FSHF-në, stafin mësimor dhe të gjithë njerëzit që janë përfshirë në këtë kurs, sepse duke ndjekur këtë shkollë na japim mundësi për marrë njohuri të reja. Dihet sa e vështirë është që të bëhesh pjesë e këtij kursi, sepse kërkesat janë të shumta dhe jam shumë i lumtur që ndodhem këtu në vendim tim.
Këtu me mua kam edhe shumë kolegë, që kemi luajtur bashkë me ekipin kombëtar, si Fakaj, Myrtaj, Dede, Bellai, pra jemi një grup kuqezi në këtë kurs. Çdo ditë mësojmë gjëra të reja dhe shumë të mira, por sesa do të më shërbejnë dhe ku do jetë e ardhmja, është ende herët. E kam me shumë qejf dhe pasion futbollin dhe dëshiroj që ta vijojë rrugën e trajnimit.
-Keni menduar se ku mund ta nisi këtë detyrë të re të trajnerit, në Shqipëri apo jashtë vendit?
Nuk e di, pasi me familjen time jam i vendosur në Gjermani. Kjo punë vjen hap pas hapi dhe më duhet të shikoj se çfarë mundësishë do të më jepen. Do të mbaroj këtë kurs, pastaj vjen një tjetër kurs më i avancuar, siç është licenca UEFA PRO. Do të shikoj çdo gjë, dhe më pas do të vendos se ku do të jem më i denjë.
Risia e kursit, trajneri Kamzës, italiani De Vekis
Kryesisht kurset e specializimit dhe kualifikimit të trajnerëve që ka zhvilluar ndër vite FSHF e kanë frekuentuar studentë shqiptarë. Veç shqiptarëve të Shqipërisë këto kurse i kanë ndjekur edhe elementë nga Kosova. Por ka pasur edhe përjashtime në të shkuarën, ku këto kurse i kanë ndjekur edhe të huaj, që kanë luajtur me skuadrat shqiptare, siç është rasti i portierit afrikan, Emanuel Egbo.
Por në dy kurset e fundit, ai që u zhvillua para një muaji UEFA B, dhe ky aktuali UEFA A, ka pasur edhe një student perëndimor. Sigurisht në këtë rast bëhet fjalë trajnerin e Kamzës, Mauro De Vekis. Në këtë rast duket qartë se italiani është treguar i zgjuar, pasi ka gjetur një rrugë të shkurtër dhe të shpejtë për tu paisur me licencën UEFA A, sepse në Itali i duhej të priste radhën e gjatë, që mbase nuk mund ta mbërrinte.
De Vekis në janar të 2012 mori drejtimin e Kamzës, por fundi ishte shkatërrimtar për kamzalinjtë, pasi zbritën në kategorinë e parë. Trajneri italian ka qenë i pafat në drejtimin e Kamzës, por ama pushimet verore mund ti shijojë me licencën UEFA A, dhe pse jo me një detyrë të re, pasi po lakohet si alternativë për drejtimin e disa skuadrave në Shqipëri.
Bindja e ish-kapitenit: De Biazi do të bëjë punë të mirë me Shqipërinë
Për Skelën kombëtarja drejtohet nga një specialist, si italiani De Biazi, dora e të cilit ka filluar të duket dhe shpresohet në realizimin e ëndrrës së madhe, pjesëmarrje në evenimente të mëdha
Çdo futbollist është i detyruar ti nënshtrohet ligjeve të këtij sporti, pasi me kalimin e viteve vjen momenti për të dorëzuar fanellën. Ervin Skela tregon se ky është një moment emocionues, por përtej këtij çasti ka edhe një jetë të dytë, që mund të jetë akoma më e bukur se ajo e futbollistit. Skela pohon se dëshira ishte që ai të ishte në fushë kur luan kombëtarja, pasi ndihesh krenar kur vesh atë uniformë, prandaj edhe të rinjtë duhet ta mbajnë përgjegjësinë e kësaj uniforme dhe të japin maksimumin.
Për Ervin Skela Shqipëria është në duar të sigurta dhe ka besim se me trajnerin Xhani De Biazi kombëtarja do të ecë përpara. Por ai kërkon një mirëkuptim nga të gjithë faktorët, duke shmangur euforinë dhe zmadhimet e gabimeve, pasi bëhet fjalë për një trajner dhe brez të ri futbollistësh të ekipit kombëtar. Ish-kapiteni shpreson se një ditë do të realizohet ëndrra e madhe e shqiptarëve, pjesëmarrje në veprimtaritë ndërkombëtare.
- Janë ligje të natyrës dhe vjen një ditë që duhet ta lësh futbollin e luajtur. Ju keni pak kohë që e keni lënë futbollin, por a të vjen keq që nuk jeni më pjesë e kombëtares dhe lojën e kuqezinjëve e shikoni nga ekrani i televizorit?
Nuk diskutohet se këto janë momente shumë emocionuese dhe të vështira në momentin që e le futbollin, pasi siç e thashë edhe më sipër kjo është gjithë jeta ime. Por njeriu përgatitet para kohe për ta përballuar këtë situatë ndonëse është moment i vështirë, jeta vazhdon më pas me ngjarje edhe më të bukura, se ata që ke përjetuar në fushë. Ka edhe një jetë të dytë në lidhje me futbollin, pasi mund të bëhesh trajner, menaxher.
Pra nuk është kaq i rëndësishëm vetëm përjetimi si lojtar. Normalisht, që jam i emocionuar kur shikoj ekipin kombëtar nga televizori, pasi do të doja të isha pjesë e tij në fushe, sepse është një gjë që të bën krenar. Por këto janë ligjet e futbollit dhe vjen një moshë që e lë të luajturin duke u dhënë hapësirë të rinjve, të cilëve u uroj suksese që ata të arrijnë në nivele të larta.
- Në përfundim të eliminatorëve të fundit Shqipërisë iu largua një brez futbollistësh, ku madje njëkohësisht humbëm dy kapitenë Ju dhe Altin Lalën. Cili është mendim i Ervin Skelës për këtë brez të eki
