Lushnja, futbollistët marrin ofertat e para
Të gjithëve u ka përfunduar kontrata me klubin myzeqar, por edhe vetë ata pohojnë se do të bisedojnë fillimisht me drejtuesit lushnjarë
Futbolli lushnjar ka marrë pushimet që pas përfundimit të ndeshjes së play-off-it me Apoloninë në stadiumin Niko Dovana. Stafi teknik dhe të gjithë futbollistët janë të lirë për momentin dhe do të mblidhen vetëm kur të zhvillohet analiza e sezonit, që është parashikuar nga presidenca.
Fakt është se të gjithë futbollistët, të cilët mbyllën sezonin 2011-2012 me fanellën e Lushnjës, janë të lirë tashmë dhe nuk kanë detyrime ndaj klubit verdhejeshil. Kontrata e të gjithëve ka qenë njëvjeçare, kështu që Lushnja nuk ka asnjë futbollist në marrëdhënie kontraktuale.
Nuk ka asnjë klauzolë në atë që kanë firmosur futbollistët lushnjarë me drejtuesit e tyre, që ti mbajë ata të lidhur, ndërkohë që ethet e merkatos kanë filluar të ndihen. Nga ana tjetër, nuk mund të flitet për merkato, sepse gjërat pritet të qartësohen pas analizës, që, sipas të gjitha gjasave, do të bëhet ditët e para të muajit qershor. Më pas, nga ana e presidencës do të vendosen kriteret e sezonit të ri.
Të gjithë do të jenë të detyruar të japin llogari, edhe pse kontratat kanë përfunduar. Do të jetë një analizë serioze dhe asnjë pjesëtar i kampit lushnjar, përfshirë edhe stafin teknik, nuk është i përjashtuar nga vendimet që do të marrë presidenca lushnjare, e kryesuar nga kryebashkiaku Fatos Tushe.
Nga sa mësohet, për disa nga futbollistët më të spikatur të sezonit që shkoi, kanë ardhur ofertat e para, edhe pse të pakonfirmuara. Vetë futbollistët verdhejeshilë e kanë bërë të ditur se do të vendosin, pasi të kenë biseduar fillimisht me klubin lushnjar për një rinovim të mundshëm kontrate.
