Skema e re, universitetet konkurrencë për investimet
zirina llambro
Skemë e re për ndarjen e buxhetit të universiteteve publike në vend. Ato institucione arsimore, që do të paraqesin projekte të vlefshme do të përfitojnë më shumë fonde. Në të kundërt financimi nga shteti do të jetë i ulët. Kjo formë do të nisë konkurrencën mes shkollave të larta për investime. Ka qenë Ministria e Arsimit ajo që ka propozuar formulën e re. Gjithçka me konsulencë të Bankës Botërore. Por prezantimi i skemës që do të aplikohet u bë dje nga këshilltari i qeverisë për arsimin Myqerem Tafaj. "Buxheti vjetor për 11 universitetet shtetërore në vend, nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të shpërndahet sipas një formule të re, e cila pritet të kalojë për miratim në Kuvend", tha Tafaj. Sipas tij, në këtë mënyrë synohet rritja e cilësisë dhe e standardeve në shkollat e larta të vendit. Parametrat që do maten janë të njëjta si në vendet e Bashkimit Evropian. "Bëhet fjalë për një formulë të krijuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës me konsulencë të Bankës Botërore. Ajo bazohet në shumë parametra si në numrin e studentëve, kualifikimin e pedagogëve, zhvillimin e kërkimit shkencor, programet studimore, etj", theksoi Tafaj. Ai nënvizoi se formula e re e shpërndarjes së buxhetit vjetor të universiteteve do të bazohet vetëm në meritat e institucioneve të arsimit të lartë. "E përkthyer ndryshe, duke nisur nga viti që vjen universitetet do të konkurrojnë për investime", u shpreh këshilltari i qeverisë për arsimin. Ai sqaroi se nisma e re ka për synim zhvillimin e universiteteve dhe mbi të gjitha rritjen e cilësisë së dijeve që jepen në to. "Në këtë mënyrë, buxheti nuk do të ndahet më sipas një ndarje aritmetike, ku merret në konsideratë vetëm numri i studentëve, por sipas kontributit të universitetit", saktësoi Myqerem Tafaj. Këshilltari i qeverisë tha gjithashtu, se në Ligjin e Arsimit të Lartë parashikohet që ai institucion, që paraqet projekte të mira, do të përfitojë fonde. "Eshtë i njëjti parim si me pushtetin vendor, lidhur me grantet. Por parakushti i vendosur është struktura të afta administrate në universitete, që mundësojnë hartimin në kohë të projektit, marrjen e fondeve dhe realizimin e tyre sipas afateve", sqaroi Tafaj. Ndërkaq, sa i përket universiteteve private, edhe nëse nuk plotësojnë standardet për të qenë të akredituar, asnjë prej tyre nuk do të mbyllet. Nuk është as në planet e ministrisë dhe as të qeverisë, që të vërë si kusht këtë proces për të rinovuar apo marrë licencën. Pas matjes së standardeve do të jetë vetë konkurrenca, që do t'i nxjerrë jashtë tregut. "Procesi i akreditimit nuk ka qëllim mbylljen e universiteteve, por synon klasifikimin e tyre nga më i miri tek ai më cilësi të dobët", deklaroi Tafaj. Sipas tij, kjo renditje do të bëhet mbi bazën e kushteve të mësimdhënies, që ofron secili universitet, laboratorët, stafi akademik, bibliotekat dhe vlerësimi i studentëve. Shkollat publike do të investojnë në këtë drejtim, në mënyrë që të përfitojnë më shumë para nga shteti, ndërsa për universitet private klasifikimi do t'u tregojë nivelin në të cilin janë, duke u lënë hapësirë që të merren masa për të përmirësuar standardet. Për të garantuar transparencë është parë e udhës që veç Agjencisë së Akreditimit të Arsimit të Lartë, në vartësi të Ministrisë së Arsimit të rekrutohet edhe një agjenci e huaj. "Kjo për të krijuar kornizat e vlerësimit sipas modeleve evropiane", sqarojnë specialistët.