Braho: Pro çdo mocioni

Ideja për një mocion ndaj kryeministrit Sali Berisha duket se mirëpritet edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila shpreh votën e saj në mbështetje të një nisme konkrete për një qëllim të tillë. Deputeti i LSI-së, Spartak Braho, thotë se kjo forcë politike do të votojë pro mocionit, ndaj kujtdo që të bëhet, si ndaj kryekuvendares Jozefina Topalli, si ndaj kryeministrit Sali Berisha. Megjithatë, Braho duket skeptik ndaj rezultatit të mocionit, në rast se ky mocion nuk gjen mbështetjen e forcës më të madhe opozitare, Partisë Socialiste. “Ndaj kujtdo që të bëhet mocioni, ne do të votojmë pro mocionit. Nëse do të bëhet mocioni ndaj Berishës, ne do ta mbështesim, nëse do të bëhet ndaj Topallit, ne përsëri do ta mbështesim. Pastaj është e vlefshme apo nuk është e vlefshme, këtë e dinë ata që e marrin mocionin”, thotë Braho për “Korrierin”. Ndërkohë, Partia Demokristiane e cila vazhdimisht ka shprehur qëndrimet e saj kundër kryekuvendares Topalli, por edhe ndaj kryeministrit Berisha kohët e fundit, shprehet dyshuese nëse një nismë e tillë do të mund të realizohet nga ana e opozitës. “Edhe opozita, nëse ndërmerr nisma të tilla, si mocioni për votëbesimin e kryeministrit, e bën thjesht për demagogji, thjesht sa për të thënë se po bëjmë opozitë, sepse kjo opozitë nuk i ka votat e mjaftueshme. Ndërkohë që kjo opozitë, sidomos partia me e madhe opozitare, ka shfaqur një frymë të qartë bashkëpunuese në interes të kryeministrit”, thotë sekretari politik i PDK-së, Lazër Stani. Sipas tij, është e natyrshme që opozita të kërkojë largimin e kryeministrit, por kryeministri nuk largohet sepse opozita e do këtë. Ideja për një mocion ndaj kryeministrit Sali Berisha u hodh fillimisht nga kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo. Ai tha se në rast se ndërmerret mocioni i shkarkimit ndaj kryekuvendares Topalli, atëherë ky mocion, në rast se ka shanse për të shkuar deri në fund, nuk ka se pse të mos ndërmerret në adresë të kryeministrit, i cili sipas Milos është frymëzuesi i kryekuvendares.