E Diel, 1 Nëntor 2026

Miqësitë e lojtarëve, “pleqtë” të ndarë nga “rioshët”



Lojtarët e kombëtares kanë të njëjtin mision e veshin të njëtat uniforma, por brenda grupit të 18-futbollistëve miqësitë duken haptazi. “Pleqtë” duken paksa të veçuar nga “çunakët”, teksa këta të fundit i sheh shumë rrallë në hollin luksoz të hotelit, pasi më shumë rijnë në ballkonet me pamje nga deti ose kalojnë kohën duke ndjekur në satelit Lojërat Olimpike. Edhe pse janë shpërndarë si zogjtë nëpër vende të tjera, ata i sheh gjithmonë bashkë, pasi janë rritur te Tirana. Isli Hidi (Alki, Qipro), Ervin Bulku (Krivbas, Ukrainë) e Ansi Agolli (i porsa huazuar te Tirana, Shqipëri) konsumojnë kohën e lirë në shoqërinë e njëri-tjetrit. Mbrojtësi Andi Lila (Tirana) rri vazhdimisht me Kristi Vangjelin (Aris i Selanikut), mesfushorin e Partizanit, Elis Bakaj e sheh duke bërë shaka me Endri Vrapin e Elbasanit. Është e natyrshme që, Lorik Cana (në mungesë edhe të Bogdanit) kohën më të madhe e kalon me Arjan Beqajn. Debatik Curri e Armend Dallku, nuk mund të ndahen edhe pse ndoshta janë “mërzitur” nga njëri-tjetri, pasi edhe në Ukrainë luajnë në të njëjtin ekip, Vorskla Poltava. Sulmuesi Hamdi Salihi ndihet i lumtur, pasi në kombëtare ka dhe një shkodran tjetër, mbrojtësi Admir Teli. Të dy kanë shumë për t’i thënë njëri-tjetrit: Hamdi Salihi po bën një sezon të mirë në Austri, ndërsa Admir Teli ka pasur fatin të luajë kundër Napolit, por dhe të jetë pjesë e skuadrës turke, Hacetepe. Edmond Kapllani konsumon një kafe nën shoqërinë e vëllait, Xhevairit, portierit të Teutës. Veteranët Ervin Skela, Klodian Duro e Altin Lala janë atje, diku në një cep kafes “Tre brezat”. Gjithsesi, të gjithë bashkë njëherësh mund t’i gjesh në stërvitje dhe te restorant “Bukuroshja e Durrësit”. Ndonjë edhe për ndonjë shaka të vogël te recepsioni..., atje të paktën e shijojnë një buzëqeshje...

Kapllani: “Dukemi si Arsenali, por duhet festuar me gol”

Një i huaj i cili qëndron vetëm pak çaste në hotel “Adriatik” dhe shikon futbollistët e kombëtares në holl, do të mendojë se ka të bëjë me një seleksion të Arsenalit, pasi uniformat që mbajnë veshur lojtarët janë plotësisht të ngjashme me ato të “topçinjve” londinezë: bluzë e kuqe me më mëngë të bardha. Kombëtarja furnizohet nga amerikania “Nike”, teksa në grumbullimin e fundit, atë në Gjermani, ku kombëtarja u ndesh me Poloninë, përfaqësuesja e vishej e mbathej nga anglezja “Umbro”. “Na rijnë bukur vërtet”, - thotë sulmuesi i Karlsruhes, Edmond Kapllani. “Dukemi bukur, por duhen inauguruar me një fitore. Edhe me një gol nga unë? Do të ishte fantastike”, - shton golashënuesi më i mirë i eliminatoreve të fundit për Euro 2008, durrsaku që arriti të shënojë jo vetëm 5 gola, por të vendosë edhe rekordin për numrin më të madh të golave gjatë një edicioni. Madje ish-lojtari i Partizanit është dhe autori i golit të fundit të kuqezinjve në rang kombëtaresh, teksa shënoi golin e vetëm në humbjen 6-1 me Rumaninë, pavarësisht se ka shënuar edhe në miqësoren të fituar 3-1 kundër klubit zviceran të kategorisë së dytë Shafhauzen.

Hyka: “Lihteshtejni, porta për Suedinë”

Një nga ata që po shkëlqen në arenën evropiane është Jahmir Hyka, i cili javën e kaluar debutoi në Bundesligën e dytë gjermane me Maincin në javën e parë. “Hyra në lojë vetëm në dhjetë minutat e fundit, kur rezultati ishte 3-3 me Kaiserlauternin, por bëra një paraqitje të mirë”, - thotë mesfushori 20-vjeçar, i cili thirret rregullisht kohët e fundit në Kombëtare. “Kundër Lihteshtejnit, do të jetë një ndeshje e rëndësishme përpara takimin me Suedinë dhe të luaj në këtë takim do të jetë një plus më shumë, pasi do të kem mundësinë të ambientohem më mirë edhe me stilin e lojës që kërkon trajneri Han”, - tha mesfushori i Mainc 05, Jahmir Hyka, i cili bëri një paraqitje të shkëlqyer në 45 minutat (e dyta) të aktivizuara në miqësoren kundër Polonisë, lojë që i solli atij edhe kontratën e majme me klubin gjerman.

Agolli: “Jam gati për të dhënë kontributin tim”

Ansi Agolli është një ndër të preferuarit e trajnerit Ari Han, i cili qysh kur e pa në grumbullimin e Turqisë në janar të këtij viti, gjithmonë e ka pasur në listën e tij. Edhe Brigel e ka pasur në vëmendje lojtarin e Tiranës, por që ka dhe një të kaluar në Zvicër e Finlandë. “Kombëtarja është kombëtare, është ëndrra e çdo lojtari. Jam i gëzuar që rikthehem, - tha mesfushori këmbëmajtë Ansi Agolli. “Më vjen pak keq, që nuk munda të jem në ndeshjen me Poloninë, pasi klubi im Vasa në Finlandë nuk më lejoi, por tani jam i gatshëm të jap kontributin tim. Shpresoj të më jepet mundësia dhe të jap maksimumin tim”, - përfundon 25-vjeçari.

20 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›