Nis punën ekspedita e përbashkët shqiptaro-amerikane “Amantia 2008”
Ekspedita e përbashkët shqiptaro-amerikane “Amantia 2008”
ka nisur punën në Parkun Kombëtar Arkeologjik të Amantias, 40 km larg qytetit të Vlorës. Drejtori i parqeve arkeologjike Amantia dhe Orikum, Gëzim Llojdia, sqaron se projekti, i konceptuar si një survejim arkeologjik, është një bashkëpunim i Institutit të Arkeologjisë, Universitetit të Sinsinatit në SHBA dhe Zyrës së Parkut Arkeologjik Amantia-Orikum, financuar nga Qendra për Trashëgiminë Shqiptare dhe e mbështetur nga “Packard Humanite Institute”.
Arkelologët
Në këtë projekt, që drejtohet nga arkeologia Shpresa Gjongecaj, janë përfshirë arkeologë amerikanë dhe shqiptarë, mes të cilëve, arkeologët Ilir Gjipali, Dhimitër Çondi, David Hernandez, Emily Glass dhe drejtori Gëzim Llojdia. Drejtuesja e këtij projekti, Shpresa Gjongecaj, Drejtore e Institutit të Arkeologjisë, shprehet se “survejimi është hapi i parë i hedhur në një qendër arkeologjike pas një periudhe rreth 50-vjeçare, që nuk është vëzhguar”. Nga ana e tij, arkeologu amerikan, David Hernandez, thotë se “ky survejim është tepër i rëndësishëm për arkeologjinë në Shqipëri edhe për faktin se mes shumë qendrave antike, Amantia është një qytezë e rëndësishme, ku gërmimet janë kryer për herë të fundit rreth 50 vite më parë dhe gjatë kësaj periudhe nuk ka patur informacione të reja rreth saj. Ne shpresojmë që me këtë projekt të kontribuojmë për të krijuar një imazh të plotë për monumentet e Amantias, jetën e saj, zhvillimin dhe ecurinë, të cilat janë të rëndësishme për arkeologjinë, turizmin, trashëgiminë kulturore”.
Projekti
Projekti konsiston në ndërtimin e hartës topografike me mjete dixhitale, duke përcaktuar në ardhmëri vendin, ku do të mund të gërmohet për të zbuluar ato pasuri, që koha dhe shekujt kanë fshehur nën dheun e Amantias. Hernandez sqaron se topografia dixhitale filloi nga stadiumi, vepra më e plotë, më e rëndësishme dhe me e veçanta në Ballkan, duke vazhduar më tej me Qafën e Pazarit, për të identifikuar objektet që mund të kenë ekzistuar në kohën e qytetërimit të mesëm ilir, kur Amantia përjetoi zhvillimin e madh ekonomik dhe ishte një pikë e rëndësishme strategjike përgjatë rrjedhjes së dy lumenjve. Më pas, survejimi arkeologjik do të vazhdojë në vendin e emërtuar “Lëmi i Peçit”, ku gjenden 2 monumente të rëndësishme: Tempulli i Afërditës, që daton me shekullit III para Krishtit dhe kisha e tipit bazilikë tre nefës, e shekullit V-VI pas Krishtit. Po ashtu, survejimi do të përshkojë murrin rrethues të qytetit dhe objektet e tjera arkeologjike që janë zbuluar përpara viteve ’90. Drejtori Gëzim Llojdia thotë se zbulimet arkeologjike në këtë qendër të lashtë ilire filluan në vitin 1949, me një ekspeditë arkeologjike të kryesuar nga Hasan Ceka, Skëndër Anamali dhe Frano Prendi, të cilët ranë në gjurmët e stadiumit të Amantias, vepër e ilirëve, ndërtuar në shekullin III para Krishtit. Ai thotë se në 18 vitet e fundit, kjo është ekspedita e parë arkeologjike në këtë qytezë antike, 680 metra mbi nivelin e detit dhe që pasqyron qytetërimin e lashtë në Ilirinë e Jugut.
20 Gusht 2008