E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspedita arkeologjike Lissus-Koman, nis gërmimin në nekropolin e qytetit



Ekspedita arkeologjike Lissus-Koman ka nisur gërmimin dje në nekropolin e qytetit për të parë vazhdimësinë iliro-shqiptare, mbështetur në materialin e dalë nga gërmimi i varrezave në këto dy qendra. Sipas drejtueses së projektit, arkeologes, Etleva Nallbani, “Projekti i Lezhës”, ka filluar qysh prej 4 vitesh dhe synon studimin e qytetit nga fundi i Antikitetit të vonë dhe zhvillimin e tij gjatë Mesjetës, nëpërmjet analizës së tërësisë së komponenteve; evolucionit urbanistik dhe territorit përreth, organizimit të banesave si dhe sistemit të popullsisë. Ndërsa, përsa i përket Komanit, Nallbani shpjegon se ai synon zbulimin, studimin si dhe kthimin në të vizitueshëm të qendrës arkeologjike të Komanit (Dalmacia mesjetare), e cila nga gërmimet e para të organizuara këtë vit rezulton një nga qytetet malore më të zhvilluara të Ballkanit perëndimor gjatë shekujve të parë të Mesjetës. Qyteti malor është i organizuar me lagje në formë tarracash, me 5 kisha, varrezë dhe është i pajisur me mure rrethuese. Ekspedita Lissus-Koman do të zgjasë rreth 1 muaj, ku pjesëmarrës janë specialistë arkeologë, antropologë, topografë nga Shqipëria dhe Franca.

Çelet edicioni i 48-të i festivalit “Vera e Ohrit” në Durrës

Kompania teatrore “Albanian Dance Theatre” është paraqitur me sukses në edicionin e 48-të të Festivalit “Vera e Ohrit” (Sumer Ohrid Festival), i cili ka nisur më 13 korrik dhe do të përfundojë më 22 gusht. Drejtori i kësaj kompanie, Gjergj Prevazi, shprehet se trupa u paraqit me shfaqjet e shkurtra “Njeriu me këllëf” nga Çehov dhe “Parfumi” nga Suskin. Spektakli i Dancit modern nga Tirana tërhoqi vëmendjen e qindra shikuesve, artistë vendas dhe të huaj, pjesëmarrës në këtë festival, u organizua në mjediset e jashtme të Kishës mesjetare të Shën Sofisë. Prevazi tha se balerinat Aleida Kondaj, Milena Nurka, Filomena Gargano dhe Suela Hoxha në shfaqjen e parë përcollën mesazhi çehovian të vetëkufizimit njerëzor, që përjetohet si dramë individuale. Më pas së bashku me balerinin Elton Cefa në pjesën “Parfumi” artistet e reja sollën kompleksin tabu të seksit përballë shoqërisë moderne. Për afro një orë e 30 minuta artistët e rinj nga Tirana intepretuan në gjininë e teatrit të dancit modern në dy spektakle të mbushura me elementë skenikë dhe koreografikë në subjekte të veçanta letrare. Kompania teatrore “Albanian Dance Theatre” është themeluar në vitin 2000 dhe ka fituar simpatinë e publikut dhe specialistëve me shfaqjet “Tranzicion” dhe “Kontrast”, në bashkëpunim me kompaninë zvicerane “Carambole”. Ajo është pjesëmarrëse në 11 festivale në vende të ndryshme si, Itali, Zvicër, Bosnje-Hercegovinë, Egjipt, Maqedoni etj. Regjisori-koreograf Gjergj Prevazi vjen për të tretën herë në Festivalin e Ohrit. Katër vjet më parë ai solli spektaklin “Kah vetvetja” me trupën e Shkupit, në vitin 2006 u paraqit me pjesën “S’po dëgjohet gongu”, vënë në skenë me trupën e Baletit të Kosovës. Prevazi tha se një nga kulmet e edicionit të 48-të të Festivalit të Ohrit ishte koncerti madhështor në teatrin antik i sopranos shqiptare Inva Mula, në të cilin morën pjesë më shumë se 3 mijë shikues. Festvali veror i Ohrit zgjat afro një muaj e gjysëm dhe në të paraqiten një gamë e gjërë gjinish artistike si, teatër, balet, muzikë koncertale dhe ekspozita të arteve pamore.

20 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›