E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braktisja e hekurudhës, 60 punonjës të hekurudhës në reformë

Fier

60 punonjës të shërbimit të transportit hekurudhor në Fier do të humbasin vendin e punës. është parashikuar që brenda pak ditësh ata të preken nga reforma. Lajmin e ka bërë të ditur kreu i hekurudhës në Fier, Mustaf Gashi.
Ky i fundit ka pohuar se është në fazën e fundit të zbatimit projekti për një reformë në degën rajonale të transportit hekurudhor.
“Reforma është e domosdoshme dhe e pashmangshme tek përballesh me një situatë tejet të braktisur të hekurudhës shqiptare. Janë vendosur edhe emrat e punëtorëve që do të humbasin vendin e punës dhe vetëm një kategori mjaft e vogël punëtorësh do të qëndrojnë”, është shprehur Mustaf Gashi.
Gashi ka pranuar se transporti me tren nuk frekuentohet më. “Edhe pse një vit më parë u kryen investime për shërbimin në transportin hekurudhor që mbulon Qarku i Fierit, treguesit kanë treguar se gjithnjë e më shumë është ulur preferenca për të udhëtuar me tren”, ka thënë kreu i shërbimit hekurudhor për Fierin.
Përpos reformës që duhej të ishte zbatuar prej kohësh situata që paraqet sot vija hekurudhore e Fierit, stacionet si dhe trenat lënë mjaft për të dëshiruar. Kjo situatë e rëndë në këtë shërbim ka bërë që për më shumë se 4 muaj asnjë udhëtar mos t’i drejtohet trenit për të shkuar në itinerarin e tij, edhe mësuesit e fshatit më të afërt të Fierit, Libofshës, të cilët një vit më parë zgjidhnin trenin për të vajtur në shkollë. Por gjatë vitit shkollor në vijim e kanë braktisur këtë shërbim.
Braktisja e udhëtimit me tren faktohet edhe te pak trena që i afrohen stacionit të Fierit. Më parë oraret e nisjeve të trenave për në itinerare të ndryshme kanë qenë të shumtë. Nga viti në vit këto orare u reduktuan së bashku me trenat. Sot një tren mund të përshkojë stacionin hekurudhor të Fierit një herë në disa ditë.
Tashmë hekurudhat kanë humbur funksionin e tyre fillestar dhe janë kthyer në mbikalime për qytetarët e zonave të banuara pranë tyre. Në të gjithë Qarkun e Fierit, përgjatë vijës hekurudhore janë konstatuar me dhjetëra ndërtime pa leje që nuk kanë respektuar distancën.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›