Jaka: Duam draft për amnisti të plotë fiskale
Sërish nga ana e bizneseve është kërkuara amnistia fiskle, pasi kjo mund të jetë dhe një ndihmë për të gjitha bizneset. Një amnisti e plotë fiskale në të cilën do të përfshihen edhe borxhet e paqarta të kompanive. Kjo është nisma më e re ligjore që ka ndërmarrë Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Tiranës. Nikolin Jaka, kryetari i kësaj dhome thotë se drafti fillestar i kësaj reforme të plotë tashmë është dorëzuar në institucionet përkatëse shtetërore.
Në këtë kërkesë që ne i kemi bërë Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë, pretendojmë që të bëhemi pjesë e iniciativës ligjore për një ligj të plotë të amnistisë fiskale. Kur themi ligj të plotë themi që të mos kemi amnisti të pjesshme siç ka ndodhur deri tani, por nga ana tjetër duhet të jemi shumë të kujdesshëm me ato asete dhe ato biznese që duhet të fitojnë amnisti fiskale. Pra, ne parashikojmë që të mos kemi amnisti vetëm për gjobat dhe kamatat, por një amnisti fiskale dhe për detyrimit dhe borxhin tatimor apo doganor të paqartë, u shpreh Jaka. Deri më tani në vend janë bërë disa amnisti të pjesshme fiskale, si dhe ka pasur lehtësi për borxhet e prapambetura të kompanive në dogana e tatime. Ndërkohë, reforma e re që po ndërmerret përfshin gjithçka dhe ka gjetur edhe pëlqimin paraprak të institucioneve fiskale. Ndërsa theksoi se qeveria duhet të bëjë të mundur ndërthurjen e amnistisë fiskale me ligjin antimafia, pasi sipas Konfindustrias vetëm në këtë mënyrë mund të funksionojë ligji. Sipas tij, zbatimi i ligjit antimafia në gjendjen e tashme institucionale, ekonomike të Shqipërisë, pa kryer amnisti fiskale për kapitalet, asetet dhe të ardhurat e qytetarëve shqiptare, rrezikon në mënyrë të drejtpërdrejtë shkaktimin e pasojave të rënda në uljen e remitancave të emigrantëve, nxitje për largimin e kapitaleve nga vendi dhe sistemi bankar shqiptar, ngadalësim të nismave investuese, si edhe pasiguri në pasurinë e qytetarëve të thjeshtë shqiptarë. Ndërsa theksoi se ndërthurja e amnistisë fiskale dhe e ligjit antimafia, do të sillte garancinë tek biznesi dhe tek ekonomia, si dhe do të godiste grupet kriminale. Në rast të kundërt ligji i ashtuquajtur antimafia potencialisht bën të pasigurt dhe rrezikon realisht pasurinë dhe kapitalet e një shumice dërrmuese të biznesit dhe qytetarëve shqiptare, me pasoja pothuajse shkatërruese mbi ekonominë shqiptare, mirëqenien e qytetarëve shqiptare dhe deri në stabilitetin shoqëror të vendit.
Last Updated on E Shtune, 06 Shkurt 2010 21:23