E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon greva e doganierëve grekë

Ka përfunduar greva 48 orëshe e doganierëve grekë duke rikthyer normalitetin e qarkullimit të mallrave, transportit publik dhe të njerëzve në të tre nyjet kufitare në jug të vendit. Në orën 06:00 të mëngjesit të ditës së djeshme, doganierët grekë, kanë hapur portat hyrëse duke lejuar rrjedhimisht kalimin e mjeteve të ndryshme të transportit dhe zhdoganimin e mallrave që prisnin gjatë periudhës dy ditore në portën e Kakavijës apo dhe atyre me drejtim në shtetin të tyre.

 Gjatë këtyre dy ditëve në Kakavije, nuk janë shfaqur radhë nga ana shqiptare por disa kamionë të rëndë me mallra të ndryshëm, janë vënë re në pjesën greke të Kakavijës kryesisht të ardhura nga pjesët e ekstremit lindor të Evropës si Turqia, Armenia, Kazakistani apo lindja e largët me destinacionin tranzit Greqinë e Shqipërinë në drejtim të perëndimit. Greva ka filluar në orën 6 të datës 4 shkurt dhe synimi i saj ishte presioni ndaj administratës së lartë doganore helene, për të mos ndërmarrë reformën e shkurtimit të vendeve të punës sipas planit të qeverisë Papandreu. T. Hoxha

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›