Ish pronarët kundër fondit special të pronave, ligji i ri pa afat kompensimi
Vorpsi: Ligji i ri shtyn pa fund afatet e kompensimit të pronave Ligji i ri i miratuar së fundmi nga komisioni i ligjeve Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave, ka lënë sërish shije të hidhur tek ish pronarët, të cilët e quajnë sërish një tallje. Për ish pronarët qeveria tashmë dha dhe goditjen e fundit ndaj tyre, duke miratuar një ligj, i cili nuk njeh më kufij kohorë për kompensimin e tyre. Anëtari i Shoqatës Pronësi me Drejtësi Mershit Vorpsi, u shpreh për gazetën SOT, se miratimi i një ligji të tillë ishte dhe turpi më i
madh i qeverisë shqiptare. Sipas Vorpsit ligji i ri i miratuar nga qeveria shqiptare, shtyn pa fund afatet e kompensimit për ish pronarët. Ai theksoi se me ligjin e ri është rrëzuar poshtë neni 28 i ligjit për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, i cili kishte kufirin përfundimtar të afatit të dëmshpërblimit të ish pronarëve dhjetorin e vitit 2014. Ky ishte dhe turpi i fundit për qeverinë shqiptare. Me këtë ligj qeveria u tha të gjithë pronarëve se do ua kthejë paratë kur ti ketë dhe sa të ketë. Me pak fjalë dëmshpërblimi i ish pronarëve të tokave shkon në pafundësi, tha Vorpsi. Ndërsa akuzoi edhe një herë qeverinë shqiptare se të gjitha ligjet që ajo po miraton së fundmi janë ligje anti-pronë dhe anti-pronar. Me ligjet e miratuara nga qeveria shqiptare nuk po bëhet një tjetër përveçse po favorizohen pushtuesit e tokave dhe po goditen prnarët e vërtetë të këtyre pronave, u shpreh Vorpsi. Sipas tij qeveria është duke punuar vetëm për njerëzit e vet dhe për pushtuesit e tokave. Mesa duket maratona për dëmshpërblimin e plotë të ish pronarët do të vazhdojë për një kohë shumë të gjatë. Për Vorpsin ligjet e miratuara së fundmi nga ana e qeverisë shqiptare nuk kanë sjellë asgjë të re për zgjidhjen e problemit të pronave, përveç faktit se ligjeve të vjetra ju është ndërruar terminologjia. Dua të them se ligji për krijimin e një fondi të veçantë, i cili do të merret me dëmshpërblimin e shtresës së ish pronarëve., nuk ka sjellë asgjë të re, thjeshtë është bërë një ndryshim i terminologjisë, dhe i shtyrjes pafundësisht të afateve për dëmshpërblimin e pronarëve të vërtetë të këtyre pronave, vijoi më tej Vorpsi. Ndërsa shtoi se qeveria shqiptare ju detyrohet shtresës së ish pronarëve 145 milionë euro, ku 46 milionë prej këtyre duhej ti kishte shlyer. Qeveria ju detyrohet deri më tani ish pronarëve shumën prej 145 milionë eurosh, ku 45 milionë prej këtyre duhet të na i kishte dhënë prej kohësh. Ajo që qeveria po bën nuk është asgjë e re, ajo vetëm po mundohet që të shtyjë sa më shumë fatet për dëmshpërblimin e ish pronarëve, me shpresën se nuk do të na i japë kurrë, tha Vorpsi.Çfarë parashikon ligji Ligji në fjalë synon të përmbyllë përgjithmonë procesin maratonë të kompensimit financiar të ish-pronarëve. Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave, parashikon në mënyrë të detajuar burimet e krijimit të fondit special, rregullat e shpërndarjes së parave si dhe proceduara e tërheqjes së parave nda subjektet e shpronësuar. Ligji në fjalë nuk përcakton shumën e fondit, por përcakton qartë mënyrën e krijimit të fondit dhe shpërndarjen e tij tek subjektet e shpronësuara. Më konkretisht bëhet fjalë edhe për tre burime të tjera, si të ardhurat e përfituara nga shitja me ankand e pasurive shtetërore për të cilat nuk ka një vendim të dhënë nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronës. Për sa i përket kësaj kategorie në projektligj përcaktohet se për llogari të këtij fondi do të kalojnë 65 për qind e vlerës në rastin e ndërtesave dhe 100 për qind e vlerës së shitjes së truallit. Burimi i tretë është ai nga të ardhurat që krijohen nga procesi i legalizimit, 80 për qind e të cilave kalojnë në këtë fond special. Por, në këtë draft parashikohet që kjo kategori të ardhurash të përdoret vetëm për ato subjekte, që janë shpronësuar si pasojë e procesit të legalizimit, për të cilat gjithashtu është vendosur një klauzolë kufizuese, ku përcaktohet se ato do të përfitojnë nga fondi i kompensimit në varësi të të ardhurave të arkëtuara nga transferimi i parcelave ndërtimore. Taulant Halili
Last Updated on E Shtune, 06 Shkurt 2010 21:21