E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për herë të parë në Shqipëri, nis procesi i emetimit të Eurobonos

Tiranë, 6 Shkurt NOA - Ministria e Financave,
njofton mbylljen me sukses të fazës së parë të procesit të emetimit të
Eurobonos, që konsistoi në marrjen e ofertave nga institucione financiare ndërkombëtare.

Plot 15 banka prestigjioze ndërkombëtare me
aktivitet të zgjeruar në tregun e kapitaleve kane paraqitur ofertat e tyre, të
cilat MF tha se do të vlerësohen nga Ministria e Financave, për të
short-listuar 4-5 ofertat më të mira, të cilat do të vazhdojnë më tej
konkurrimin.

Procesi i emetimit të eurobonos së parë të Shqipërisë,
si procesi më i rëndësishëm ndonjëherë i operacioneve të huamarrjes publike të Shqipërisë,
startoi në fillim të Janarit me publikimin e Kërkesave për Ofertë nga Ministria
e Financave.

Institucionet konkurruese patën afat deri në datën
5 Shkurt për të sjellë ofertat e tyre. Interesi i tregut për të menaxhuar
Eurobonon rezultoi të ishte masiv, çka është e dukshme edhe nga numri shumë i
lartë i ofertave të paraqitura.

Ministria e Financave synon të përfundojë
procesin e emetimit brenda muajit Maj, kohë qe korrespondon edhe me plotësimin
e vitit të parë të kredisë sindikale të marrë vitin e kaluar, dhe na jep mundësinë
të shlyejmë këtë kredi dhe ta zëvendësojmë me Eurobonon, e cila do të ketë normë
interesi cilësisht më të ulët.

Eurobonoja do te emetohet për një vlere prej
300-350 milionë eurosh, rreth 200 milionë prej të cilave do të shkojnë për
shlyerjen e kredisë sindikale, dhe pjesa tjetër për të financuar nevojat e
buxhetit.

Ministria e Financave do të vijojë të informojë
publikun hap pas hapi për procesin e emetimit të Eurobonos, deri në realizimin
e suksesshëm të saj.

e.r/NOA

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›