E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, takim lamtumire Thaçi-Buhler

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur të mërkurën në një takim lamtumire, komandantin e KFOR-it, gjeneralin gjerman Erhard Buhler.Kryeministri Thaçi, ka shprehur mirënjohjen e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për punën e madhe që gjenerali Buhler ka bërë në Kosovë, në kuadër të udhëheqjes së forcave të KFOR-it. Në mënyrë të veçantë, kryeministri ka vlerësuar lartë bashkëpunimin e frytshëm që ka pasur Qeveria e Republikës së Kosovës me KFOR-in, gjatë periudhës së shërbimit të gjeneralit Buhler në krye të KFOR-it.
 

Kryeministri Thaçi, ka vlerësuar komandantin e KFOR-it, gjeneralin Buhler si mbështetësin e pazëvendësueshëm të sigurisë, të sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, mandat ky i KFOR-it, i përcaktuar edhe me dokumente ndërkombëtare.
 

Nga ana e tij, gjenerali Buhler ka falënderuar kryeministrin e Republikës së Kosovës për bashkëpunimin e gjithanshëm të qeverisë me KFOR-in dhe ka theksuar se ky bashkëpunim do të thellohet edhe më tej. Prioritet dhe mandat kryesor i KFOR-it është siguria e qytetarëve të Kosovës në gjithë territorin e Kosovës dhe në këtë kuadër, KFOR-i do të vazhdojë ta kryejë të plotë mandatin e tij, është shprehur gjenerali Buhler.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›