E Diel, 1 Nëntor 2026

Bramertz: Arrestimi i Mladiçit e Haxhiçit largon pengesën e fundit të mandatit të Hagës

NJU JORK- Arrestimi i Ratko Mladiçit dhe Goran Haxhiçit largoi pengesën e fundit në plotësimin e mandatit të Gjykatës së Hagës, deklaroi kryeprokurori i kësaj gjykate, Serge Bramertz, i cili paraqiti në Nju Jork raportin gjashtëmujor për punën e gjykatës dhe nivelin e bashkëpunimit me vendet e ish-Jugosllavisë.

Ish-lideri ushtarak i serbëve të Bosnjes, Ratko Mladiç, i cili pothuajse për 16 vjet iu shmang drejtësisë, dhe ish-kryetari i të ashtuquajturës Republika Serbe në territorin e Kroacisë, Goran Haxhiç, i fshehur për shtatë vjet, janë arrestuar dhe ekstraduar në Hagë.

Sipas Bramertzit, arrestimi i këtyre dy të akuzuarve të fundit nga Haga do të thotë se asnjë njeri kundër të cilit është ngritur akuzë nuk do t'i shmanget procesit gjyqësor para gjykatës.

Kryeprokurori tha se pret nga autoritetet serbe që të marrë informacione për rezultatet e hetimit për personat që kanë ndihmuar Mladiçin dhe Haxhiçin për t'u fshehur.

(d.b/MIA/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›