E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukan takon Ramën: Përshëndes hapat e PS, për reformën zgjedhore

TIRANË- Eduard Kukan kryesuesi i delegacionit të deputetëve të Parlamentit Europian, që ndodhet në Tiranë, në kuadër të takimit të 4-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, BE-Shqipëri, është takuar sot me kryesocialistin Rama. Zyra e shtypit të Partisë Socialiste zbardh detaje të këtij takimi, nëpërmjet një deklarate të shpërndarë për mediat.

"Gjatë këtij takimi u shkëmbyen pikëpamje në lidhje me ecurinë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, parë nga këndvështrimi i gjetjeve dhe rekomandimeve të Komisionit Europian, konkluzioneve të Këshillit të Bashkimit Europian dhe rezolutave të Parlamentit Europian mbi Shqipërinë", thuhet në njoftim.

Sipas PS, Kukan ka përshëndetur hapat e ndërmarrë nga Partia Socialiste në drejtim të fillimit të punës për reformën zgjedhore, reformën parlamentare, shqyrtimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar si edhe procesin e nisur tashmë për përzgjedhjen e Avokatit të Popullit, ndërsa në emër të delegacionit që kryeson ai tha se "distancohemi nga deklaratat e fundit të kreut të grupit parlamentar EPP, Joseph Daul, në adresë të Kryetarit të Partisë Socialiste dhe opozitës shqiptare".

Po sipas PS, Rama ka  garantuar delegacionin e Parlamentit Europian mbi vullnetin e palëkundur të opozitës shqiptare për të ushtruar të gjithë përgjegjësitë në funksion të përmbushjes së 12 prioriteteve të identifikuara nga Bashkimi Europian në lidhje me aplikimin e vendit tonë për anëtarësim në BE.

Gjatë takimit, u shkëmbyen pikëpamje edhe në lidhje me çështje të tjera problematike për Shqipërinë si manipulimet e vëna re gjatë procesit të fundit zgjedhor, nivelin e lartë të korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, reformën në drejtësi etj.

Grupi i europarlamentarëve që do të marrin pjesë në takim përbëhet respekitivisht nga Eduard Kukak (Kryetar EPP Sllovaki), Viktor Boshtinaru (nënkryetar S-D Rumani), Antonio Caancia (EPP Itali), Tanja Fajon (S-D Slloveni), Stanimir Ilchev (ALDE Bullgari) dhe Michail Tremopoulos (EFA Greqi).
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›