E Diel, 1 Nëntor 2026

Zv/kryeministrja Tahiri takon ambasadorin shqiptar, Islam Lauka

PRISHTINË- Zv/kryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri ka pritur sot ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka.
Zyra e shtypit e qeverisë kosovare bëri të ditur se, në këtë takim u fol për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve, dhe po ashtu u vlerësuan raportet e shkëlqyera Kosovë - Shqipëri.
Ndërkaq u çmua arritja e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit mes dy shteteve të pavarura dhe sovrane, Kosovës dhe Serbisë.
Zv/kryeministrja Tahiri tha se menaxhimi i integruar i kufirit (IBM) është koncept evropian që duhet të aplikohet midis shtetesh që aspirojnë të hyjnë në BE, si parapërgatitje për integrim në zonën Schengen.
Nga ana e tij, ambasadori Lauka tha se marrëveshja e arritur për Menaxhimin e Integruar të Kufijve është një marrëveshje tipike shtetërore ashtu siç e ka edhe Shqipëria me Malin e Zi.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se edhe në të ardhmen duhet punohet në të mirë të dy shteteve, dhe se të dy shtetet kanë mundësi shumë të mira të bashkëveprojnë në rrugën e integrimeve evropiane.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›