Braun: “Ballkani ka rritur konfiskimet e drogës, por trafiku vazhdon”
Kosova dhe Shqipëria shërbejnë si vende transite të trafikut të drogës që vjen nga Afganistani për në Europën Perëndimore. Kështu shprehet në një intervistë për agjencinë e lajmeve “VOA”, Majkëll Braun, ish-shef i operacioneve në Agjencinë Amerikane kundër Trafikut të Drogës dhe ekspert i anti-trafikimit, duke iu referuar raportit mbi Trafikun Ndërkombëtar të Drogës. Sipas Braun, megjithëse vendet e Ballkanit kanë rritur numrin e konfiskimeve, grupet e krimit të organizuar përsëri arrijnë të gjejnë rrugë të tjera. Ai shprehet se kjo ndodh jo vetëm nga shkathtësia dhe fuqia e këtyre grupeve, por edhe për shkak të mjeteve të kufizuara në dispozicion të forcave të rendit, ushtrisë dhe shërbimeve të zbulimit që e luftojnë këtë trafik në vendet e Ballkanit.
Zoti Braun, Shqipëria dhe Kosova shihen si vende tranzite të heroinës afgane të destinuar për vendet e Europës Perëndimore. Që nga fillimi i këtij problemi, cila ka qenë prirja, a është shtuar apo ka rënë sasia e drogës që kalon në këto vende gjatë viteve?
Është e vështirë të thuhet sepse ka disa vende përmes të cilave kalon droga në Ballkan, dhe kjo rrugë ndryshon vazhdimisht. Arsyeja e ndryshimit është se ndërsa polica, ushtria dhe shërbimet e zbulimit bëhen më efikase, dhe fillojnë të kapin drogën në një zonë, grupet e fuqishme të krimit të organizuar kanë aftësinë të ndryshojnë rrugë shumë shpejt. Për mendimin tim, nuk ka model organizativ më elastik sesa grupet e fuqishme të krimit të organizuar. Pra, sapo siguria rritet në një zonë, ato kalojnë shpejt në një zonë tjetër. Ato janë gjithnjë në kërkim të atyre, që unë i quaj “pika të dobëta” përmes të cilave mund të kalojnë sasi më të mëdha të produkteve të tyre dhe t’i nxjerrin në treg. Sa herë që kapen sasi lëndësh narkotike, atyre u preken të ardhurat, dhe si çdo biznes tjetër, kjo është pika ku atyre u dhemb më shumë.
Pra ju thoni këto grupe reagojnë shumë shpejt? Por a është e mundur që konfiskimet të jenë shtuar, por edhe sasia e drogës së trafikuar të jetë shtuar gjithashtu?
Është e natyrshme që kur rritet kërkesa nga njëra palë, pala tjetër rrit numrin e dërgesave. Pra, meqenëse kërkesa rritet në Europë, besoj se kjo ka qenë një ndër arsyet pse ne kemi parë një farë shtimi të trafikut të drogës afgane që kalon përmes rrugës Ballkanike.
Sa efikase kanë qenë qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës në operacionet e tyre kundër trafikut të lëndëve narkotike? A kanë reaguar në masën e duhur?
Duke marrë parasysh mjetet që kanë në dispozicion, ato po punojnë mirë. Policia, ushtria dhe institucionet e sigurisë mund të veprojnë deri në një farë mase. Këto grupe të fuqishme që trafikojnë sasi të mëdha droge janë shumë elastike dhe të shkathëta. Dhe për sa kohë që policia, ushtria dhe shërbimet e zbulimit nuk kanë mjetet ajrore, detare apo tokësore për ta dërguar policinë në vendin e duhur në kohën e duhur, atëherë ata do të hasin në vështirësi.
Lufta kundër trafikimit të drogës kërkon përpjekje ndërkombëtare. Çfarë ndihme i ka dhënë Agjencia amerikane Kundër Trafikut të Drogës qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës në luftën kundër këtij trafiku?
Agjencia amerikane Kundër Trafikut të Drogës ka praninë më të madhe të forcave të rendit jashtë vendit, janë rreth 90 punonjës deri tani. Kjo agjenci nuk bashkëpunon vetëm me një apo dy vende në rajonin e Ballkanit, ajo shërben si një urë lidhëse mes shumë vendeve për të lehtësuar ndarjen e informacioneve të rëndësishme të zbulimit, për të bashkërenduar hetimet, në mënyrë që hetimet të kenë rezultate maksimale, pra të japin grushtin më të fortë në kohën e duhur për t’i shkatërruar apo të paktën për t’i dëmtuar rëndë këto organizata.
Të gjitha këto vende të Ballkanit po përpiqen të integrohen në Bashkimin Europian. Si do të ndikojë kjo tek shkëmbimi i informacionit, rritja e kapaciteteve dhe kualifikimi i forcave në vendet e Ballkanit nga ekspertë perëndimorë?
Nëse këto vende bëhen anëtare të Bashkimit Europian, kjo mund t’u krijojë mundësi të reja dhe mund t’u japë mënyra të tjera për shkëmbimin e informacioneve shumë të rëndësishme të zbulimit dhe sidomos të provave. Sepse në fund të fundit janë provat ato që i duhen paraqitur gjykatave kompetente nëpër botë në mënyrë që bosët e drogës të mund të futen në burg dhe të qëndrojnë pas hekurave ku edhe u takon të jenë.
A sjell trafiku i drogës terrorizmin? A ka sjellë ky trafik me vete terroristë në zona si Shqipëria, Kosova dhe Ballkani në përgjithësi? Dhe si do të ndikojë kjo tek siguria e rajonit?
Ndërkohë që shohim tranzicionin e vazhdueshëm të Talebanit dhe Al-Kaidës nga grupe që drejtohen vetëm nga ideologjia, në grupe që drejtohen nga dollari apo Euroja, pra motivi ndryshon nga ideologjia tek fitimi, ky lloj skenari i sjell grupet në kontakte më të ngushta me grupe indigjene të krimit të organizuar që e kanë bazën në disa prej vendeve ballkanike. Pikërisht kjo më duket shqetësuese. Po t’i hedhim një vështrim shifrave të OKB-së, dhe të shohim katër kategoritë më të rëndësishme të tregtisë së paligjshme në botë, ato radhiten në këtë mënyrë: droga sjell rreth 322 miliard dollarë në vit të ardhura nga kontrabanda, pas saj renditet trafikimi i qenieve njerëzore me 32 miliard dollarë, tregtia globale e armëve është e treta me 10 miliard dollarë dhe tregtia e diamanteve ka të ardhura rreth një miliard dollarë. Ideja është që nuk ka asnjë lloj tregtie të paligjshme në botë që sjell të ardhurat që sjell tregtia e paligjshme e trafikut të drogës. Gjëja më e rrezikshme është ajo që unë e quaj organizata terroriste hibride. Një grup që nga njëra anë funksionon si organizatë terroriste, por nga ana tjetër është edhe organizatë e trafikut global të drogës.
Marrë nga Zëri i Amerikës
Steinberg viziton Ballkanin, nesër në Kosovë
Zëvendës sekretari i Shtetit amerikan Xhejms Steinberg do të vizitojë ditën e nesërme, Kosovën, në kuadër të turneut në rajon. Lajmi është raportuar nga agjencia e lajmeve “Reuters”. Javën e kaluar, Steinberg tha se pavarësia e Kosovës ka qenë forcë për stabilitetin në rajon dhe se Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në dy vitet e para si shtet i pavarur. Steinberg tha se një nga çështjet për të cilën dëshiron të bisedojë është si të lehtësohet puna e EULEX-it në Kosovë dhe si të ndërtohen ura mes dy komuniteteve, atij shqiptar dhe serb. Ndërkohë, përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian dhe të SHBA-ve, me në krye Steinberg do të udhëtojnë, sot drejt Sarajevës, ku do të mbahet takimi në të cilin ata do të kërkojnë nga liderët në Bosnjë-Hercegovinë të pranojnë deklaratën e përgatitur nga Spanja, kryesuesja e radhës e Unionit, që ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese në Bosnje.
6 Prill 2010