E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi i vogël, Bashkia e Tiranës nxjerr afatet për pagimin e taksave



Jonida Tashi

Bashkia e Tiranës ka përcaktuar afatet e shlyerjes së detyrimeve tatimore për vitin 2010, për biznesin e vogël. Nё zbatim të vendimit të Këshillit Bashkiak, përllogaritja e detyrimit tatimor për biznesin, pёr vitin tatimor 2010, ku përfshihen (taksa e pasurisë, taksa e gjelbër, tarifa e pastrimit etj.) do të bëhet mbi bazën e niveleve treguese tё miratuara nga Kёshilli Bashkiak, sipas llojit tё kategorizimit tё veprimtarisë (tregti, shërbim, prodhim etj). Nё zbatim tё ligjit nr.9632, datё 30.10.2006 “Pёr sistemin e taksave vendore”, pёr kategoritë e biznesit tё vogël, përllogaritja e tarifës së taksës vendore mbi biznesin e vogël, do të kryhet nё mbështetje të masës së qarkullimit vjetor, tё deklaruar nga subjekti, si dhe tё niveleve tё miratuara, pёr çdo kategori aktiviteti, nga ligji pёrkatёs, si dhe nga vendimi i Këshillit Bashkiak Tiranё, sipas kompetencës që ky ligj i jep. Kështu, për bizneset që qarkullojnë nga 0 deri në 2 milionë lekë niveli i taksës është fiks për çdo kategori. Kurse për subjektet mbi 2 milionë lekë niveli i takës është niveli fiks deri në 2 milionë plus 1.5 për qind të vlerës së mesit të intervalit 2-8 milionë lekë. Sipas Bashkisë së Tiranës, ambulantet do të vazhdojnë me kuotë fikse, pavarësisht nivelit tё xhiros dhe llojit të tregtisë ambulatore. Po ashtu, edhe subjektet e transportit do të kenë kuotë fikse, por nё raport me llojin e mjetit dhe shërbimit të transportit.
Afatet
Për vitin 2010, ndryshimet ligjore, të cilat prekin nivelin e xhiros, duke ndryshuar pragun kur një biznes konsiderohet si i vogël, do kenë dhe efektin e tyre në të ardhurat nga kjo taksë. Taksa vendore mbi biznesin e vogël llogaritet si detyrim vjetor i taksapaguesit, qoftë ky subjekt fizik apo juridik, vendas apo i huaj, i cili realizon një të ardhur bruto vjetore (qarkullim) të barabartë ose më të vogël se 8 milionë lekë. Taksa paguhet në katër këste të barabarta në datat 20 prill, 20 korrik, 20 tetor dhe kësti i fundit jo më vonë se data 20 janar i vitit të ardhshëm fiskal. Struktura e ngarkuar për vjeljen e taksës vendore mbi biznesin e vogël është Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore. Sipas treguesve në rang kombëtar dhe treguesve të Bashkisë së Tiranës, është vërejtur se Bashkia e kryeqytetit ka kontributin më të madh në këtë taksë në nivel republike. Sipas projektbuxhetit të Bashkisë së Tiranës, të ardhurat nga taksa mbi biznesin e vogël, për vitin 2010, parashikohen në shumën 1.125.000.000 lekë ose 90 % më pak se viti 2009. Në këtë shumë përfshihet parashikimi i vlerës së kësteve që duhet të paguhen brenda vitit 2010, si dhe kësti i katërt i vitit 2009, që duhej shlyer brenda datës 20 të muajit janar 2010. Sipas Bashkisë së Tiranës, llogaritja e kësaj takse është mbështetur në: udhëzimin për përcaktimin e uniformitetit të standardeve dhe raportimit të taksave vendore si dhe në vendimet e Këshillit Bashkiak për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës; parashikimin e arkëtimit nga subjektet aktive të mbartura nga viti 2009; parashikimin e hapjes së aktiviteteve të reja, edhe pse në numër të kufizuar si rezultat i ndikimit të krizës ekonomike; arkëtimet nga debitorët; shtimin e bazës së taksapaguesve dhe kontrollet për përcaktimin e saktë të nivelit të xhiros vjetore.
Bizneset
Sipas të dhënave të Bashkisë së Tiranës, gjatë periudhës gjashtëmujore të vitit 2009, janë evidentuar 96 subjekte, prej të cilave, të gjitha janë likuiduese të taksave për kohën në fjalë. Këto të dhëna reflektojnë, sipas Bashkisë, edhe realizimin e pritshëm të të ardhurave nga kjo taksë për vitin 2009, në shumën 78 milionë lekë. Nga sa më sipër, parashikimi i të ardhurave ka marrë parasysh ecurinë gjatë vitit 2009, shtimin e strukturave të reja si dhe vlerat e munguara të debitorëve. Për vitin 2010, të ardhurat nga taksat vendore për biznesin e vogël parashikohet të kapin shifrën prej 80 milionë lekë me një rritje prej 3% krahasuar me vitin 2009. Duke ju referuar planit vjetor të vitit 2009 të kësaj takse prej 1.250.000.000 lekë, sipas kalkulimeve dhe vëzhgimeve në terren të subjekteve që deri në fillim të vitit aktual nuk kishin kryer likuidimin e këtij viti, pritet që realizimi të arrijë në 1.125.000.000 lekë ose 90% e parashikimit vjetor. Sipas të dhënave të Bashkisë së kryeqytetit, gjatë vitit 2009, janë regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit (QKR) 3800 subjekte të reja të kategorisë “Biznes i Vogël”, ndërkohë që janë çregjistruar ose pezulluar rreth 2600 subjekte, për pasojë janë vetëm 1200 subjekte që realisht kanë funksionuar si të tilla dhe kanë likuiduar detyrimet e vitit 2009.

Njoftimi i detyrimit tatimor
Detyrimi tatimor i subjektit, pasi përllogaritet nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore njoftohet dorazi (data e njoftimit) nёpёrmjet inspektorëve ose me postë (data e njoftimit, 7 ditë kalendarike pas datës së dërgimit).
Kur duhen paguar taksat
Taksat dhe tarifat vendore kanë afatet e tyre pёrkatёse për t’u paguar nga secili person që ёshtё i detyruar t’i paguajë ato, si subjekt i legjislacionit tatimor dhe akteve vendore në zbatim të tij.
Pagesa e detyrimit tatimor
Pas marrjes sё njoftimit pёr detyrimin tatimor, ju mund tё paraqiteni pranë çdo banke tё kryeqytetit, duke dhёnё tё sakta si NIPT-in tuaj, shumën e paguar pёr çdo taksё dhe tarifё vendore sipas afateve tё përcaktuara nga Kёshilli Bashkiak dhe njoftimi i detyrimit tatimor.

Taksa e regjistrimit të përvitshëm të automjeteve
Subjektet e transportit, megjithëse do të kenë kuotë fikse për taksat vendore, ajo do të jetë nё raport me llojin e mjetit dhe shërbimit të transportit. Baza e taksës është lloji i mjetit të transportit rrugor. Niveli i taksës shprehet në një kuotë të caktuar, sipas llojit të mjetit. Kategoritë dhe nivelet, sipas mjeteve, përcaktohen në lidhjen përkatëse të ligjit nr.9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar. Agjenti tatimor për vjeljen e kësaj takse është Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor dhe Drejtoria e Qarkullimit Rrugor, të cilët në rolin e agjentit për taksën, përfitojnë përkatësisht 5 % dhe 1 % të shumës së arkëtuar. Për vitin 2009, nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit të Transportit Rrugor (DRSHTR) pritet të realizohet një shumë prej 250 milionë lekë që është sa vlera e parashikuar për këtë vit, kundrejt 85 mijë automjete të regjistruara ose 5 mijë automjeteve më shumë se parashikimi. Sipas Bashkisë së kryeqytetit, vlen të theksohet se nga strukturat e DRSHTR-së kërkohet një përgjegjshmëri konkrete lidhur me saktësimin e mjeteve që duhet të paguajnë këtë taksë, pasi referuar germës së alfabetit për të cilat janë emetuar edhe targat, mund të rezultojë edhe një numër më i madh mjetesh që duhen taksuar për regjistrimin e përvitshëm. Referuar ecurisë së realizimit në vite dhe të pritshmit të vitit 2009, për vitin aktual është parashikuar që të ardhurat nga kjo taksë të arrijnë në shumën 270 milionë lekë, ose 8 % më shumë se viti i kaluar.

6 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›