Hedh granatën pas sherrit në trafik, arrestohet autori
TIRANË – Një sherr i rëndomtë në trafik për pak sa nuk ka shkaktuar tragjedi. Shtetasi Ylli Alibejsi, 32 vjeç, banues në rrethin e Durrësit, ka hedhur një granatë duke shkaktuar plagosjen e dy vëllezërve Goga, por ka mbetur i plagosur edhe vetë. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi të dielën në mbrëmje në rrugën e vjetër që lidh Tiranën me Durrësin. Sipas tyre, 32-vjeçari Alibejsi, teksa udhëtonte me automjetin e tij tip “Golf”, me targë TR 1525 J, në afërsi të Ndroqit është konfliktuar me drejtuesin e mjetit Olgert Goga, 20 vjeç. Konflikti është acaruar dhe Alibejsi ka nxjerrë një granatë, të cilën ka tentuar t’ia fusë nën rroba shtetasve Indrit dhe Olgert Goga. Granata ka rënë në tokë, ku nga shpërthimi i saj kanë mbetur të plagosur lehtë shtetasit Indrit dhe Olgert Goga, si dhe është plagosur edhe vetë autori i ngjarjes, Ylli Alibejsi, të cilët aktualisht ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.
“Në cilësinë provës materiale u sekuestruan disa copa metalike që mendohet të jenë pjesë granate”, - thonë burimet policore. Më pas i është komunikuar arrestimi shtetasit Ylli Alibejsi, teksa ndodhej i shtruar në spital. Zëdhënësja Alma Katragjini sqaron se materialet në ngarkim të Alibejsit pritet t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Shkurt
Rënia e derës i merr jetën 2-vjeçares
SHKODËR – Rënia e derës së oborrit i ka marrë jetën në mënyrë fatale një fëmije të moshës 2 vjeç. Ngjarja e rëndë ndodhi dje në mëngjes në qytetin e Shkodrës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se viktima është shtetasja B. Elbasani, lindur më 13 shtator të vitit 2008 dhe banore në lagjen “Perash” në qytetin verior. Sipas tyre, foshnja ka qenë duke luajtur para oborrit të shtëpisë, teksa ka rënë dera duke e plagosur rëndë. E aksidentuara është dërguar nga prindërit me urgjencë në Spitalin rajonal të Shkodrës, por dje, rreth orës 11:45 është ndarë nga jeta. Foshnja kishte marrë goditje në kokë, gjë që kanë bërë të pamundur mbajtjen në jetë të vajzës së vogël.
Rrahin kunatin, shpallen në kërkim dy vëllezërit
KORÇË – Dy vëllezër kanë keqtrajtuar kunatin e tyre, por më pas janë shpallur në kërkim. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut Korçë bëjnë të ditur se ka nisur kërkimi për kapjen e shtetasve Mondi dhe Jorgo Binjaku, lindur dhe banues në fshatin Ravonik. Ndaj tyre është bërë kallëzimi nga shtetasi me inicialet A. M., 37 vjeç, i cili ka pohuar se është kanosur për jetë nga kunetërit e tij. Burimet policore sqarojnë se ndaj dy vëllezërve Binjaku kanë nisur hetimet për veprën penale të “kanosjes së kryer në bashkëpunim” dhe forcat e rendit po punojnë për kapjen e tyre.
Prangoset, qëlloi me thikë në këmbë 18-vjeçarin
SHKODËR – Një 21-vjeçar është arrestuar pasi ka qëlluar me thikë një shtetas gjatë konfliktit në një lokal në qytetin e Shkodrës. Burimet policore sqarojnë se rreth orës 22:30 të ditës së diel përfundoi në pranga shtetasi Marsel Kulli, 21 vjeç, banues në lagjen “Naim Gjylbegu” të qytetit verior. “Arrestimi i tij u bë për arsye se dy ditë më parë, rreth orës 21:30, në lagjen ‘10 Korriku’, Kulli ka plagosur me thikë në këmbë shtetasin E. Hasani, 18 vjeç, banues në fshatin Mjedë, i cili është dërguar në Spitalin rajonal Shkodër dhe po merr ndihmën e duhur mjekësore”, - thotë zëdhënësja e Policisë, Fatbardha Çelepia. Autori i plagosjes u ndalua vetëm pak minuta pas ngjarjes dhe kanë nisur hetimet ndaj tij për veprën penale të “plagosjes me dashje”.
Arrestohet, dhunoi policin te “Don Bosko”
TIRANË – Një polic i qarkullimit është dhunuar fizikisht teksa patrullonte në lagjen “Don Bosko”, por më pas është prangosur autori. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë realizuan arrestimin në flagrancë të shtetasit Altin Kristofor Thanasi, 34 vjeç, banues në kryeqytet, sepse në rrugën “Don Bosko” dyshohet se ka kundërshtuar me dhunë fizike gjatë ushtrimit të detyrës, duke i shkaktuar dëmtime një punonjësi të policisë. Sipas zëdhënëses, “materialet në ngarkim të 34-vjeçarit Thanasi i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprës penale të “kundërshtimit të punonjësit të policisë”.
Aksidentohen tre pjesëtarët e një familjeje, kamionçina goditi murin e servisit
TIRANË – Gabimi i drejtuesit të kamionçinës është bërë shkas që të mbeten tre persona të një familjeje të plagosur rëndë. Ngjarja e rëndë ndodhi dy ditë më parë në kryeqytet. Burimet zyrtare raportojnë se është arrestuar shtetasi Astrit Marku, 38 vjeç, banues në Tiranë, sepse, në Bërxullë, Ura e Limuthit, duke drejtuar mjetin kamionçinë “Ford”, me targë TR 0327 G, është përplasur me murin e një gomisterie dhe është rrëzuar më pas në kanalin e majtë të rrugës. Për pasojë janë aksidentuar pasagjerët, R. M., 14-muajshe, Liljana Marku, 24 vjeçe, banuese në Vorë dhe Xhevdet Selman Marku, 33 vjeç, banues në Vorë, të cilët ndodhen në spital në gjendje të rëndë.
Drejtuesi i mjetit është larguar nga vendi i ngjarjes duke fshehur automjetin, por më pas nisën hetimet. Zëdhënësja e Policisë, Alma Katragjini, sqaron se shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 në Tiranë nisën verifikimet dhe më pas prangosen drejtuesin e mjetit, Astrit Marku. Sipas saj, “materialet në ngarkim të tij pritet t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pasi akuzohet për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.
Aksidentoi për vdekje 10-vjeçarin, ndalohet shoferi
DURRËS – Një drejtues mjeti është ndaluar pasi ka aksidentuar për vdekje fëmijën në moshë 10 vjeç. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se të shtunën në mbrëmje, rreth orës 21:00, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Gjovalin Ndoj, 31 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Lagjen Nr. 17 në qytetin bregdetar. Sipas tyre, prangosja është bërë për arsye se në të njëjtën ditë, rreth orës 16:00, në segmentin rrugor Durrës-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të Sukthit, në kohën kur drejtonte automjetin e tij tip “Alfa Romeo” me targë DR 5886 E, ka aksidentuar me vdekje shtetasin Rubin Veipi, 10 vjeç, banues në Sukth.
Policia: Vrasja në qytetin e Krujës, për motive xhelozie
KRUJË – Megjithëse krimi i ndodhur në qytetin e Krujës katër ditë më parë nuk ka ende një person të identifikuar publikisht, policia thotë se po heton mbi motivet e xhelozisë. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se kanë ndaluar disa persona për vrasjen e shtetasit Arben Duka mbrëmjen e 1 prillit në qytetin e Krujës. Krimi ndodhi në Sesere, teksa 50-vjeçari Duka ndodhej në oborrin e banesës se tij. Një person ende i paidentifikuar nga policia ka qëlluar me automatik ndaj tij, duke e lënë të vdekur në vend. Policia e qarkut Durrës bën të ditur se “në lidhje me këtë ngjarje nga ana jonë janë kryer të gjitha veprimet e para hetimore”. Zëdhënësja thotë se “nga të dhënat hetimore të deritanishme rezulton se viktima kishte disa konflikte për motive xhelozie”. Deri ditën e djeshme janë shoqëruar në mjediset e komisariatit të Krujës disa persona, të cilët janë marrë në pyetje dhe më pas janë lënë të lirë. Burimet zyrtare pohojnë se po vazhdon puna hetimore për identifikimin e autorit të ngjarjes.
6 Prill 2010