Urdhri i ri, Vasili: “Pacientet do ti marrin ilaçet në spital, jo më në farmaci”
Duke filluar që nga dita e sotme, pacientët do t’i gjejnë barnat në spital, dhe jo më në farmacitë përreth tyre. Së fundi, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka firmosur një urdhër, sipas të cilit, mjekët duhet t’i lëshojnë recetat për medikamente jashtë spitalit, vetëm kur këto të fundit nuk gjenden në listën e barnave të aprovuara për përdorim spitalor. Aktualisht janë mbi 300 barna të cilat jepen në spitale për pacientët, dhe që do të vazhdojnë të jepen për ata vetëm me një recetë të firmosur, nga shefat e shërbimeve. Sipas urdhrit të ministrit të Shëndetësisë, në raste të domosdoshme të sugjerimit për blerje të medikamenteve që nuk janë pjesë e listës së barnave të aprovuara për përdorim spitalor, për personat e shtruar në spital, ndalohet lëshimi i recetës për të blerë medikamente në rrjetin e hapur farmaceutik, pa firmën e shefit të shërbimit. “Receta për blerjen e medikamenteve jashtë listës së barnave të aprovuar për përdorim spitalor, do të lëshohet vetëm për raste që kanë indikacion absolut për mjekimin e pacientit. Receta do të lëshohet duke përshkruar principin aktiv të medikamentit”,- thuhet në urdhrin e sapo nxjerrë nga kreu i Shëndetësisë. Në rast se shefat nuk do të firmosin, apo do të konstatohen receta pa firmën e tyre, ministri Vasili premton masa administrative, deri në largim nga puna. Sipas urdhrit të fundit, për personelin mjekësor, ndalohet orientimi drejt farmacive të selektuara, për blerje të medikamenteve.
6 Prill 2010