E Diel, 1 Nëntor 2026

Udhëzimi, përcaktohet numri i pyetjeve për Provimet e Lirimit dhe ato të Maturës



Jonida Tashi

Ministria e Arsimit përcakton numrin total të pyetjeve që do të kenë testet e provimeve të Lirimit si dhe ato të Maturës. Nëpërmjet një udhëzimi të posaçëm, të firmosur dje nga zëvendësministri i Arsimit, Halit Shamata, “Për masat e për zhvillimin e provimeve të Lirimit dhe të provimeve të Maturës Shtetërore 2010”, Ministria e Arsimit, ka detajuar pyetjet për secilin test dhe si do të bëhet vlerësimi i tyre.
Provimet e Lirimit
Provimet e Lirimit i jep çdo nxënës që ka përfunduar me rezultate kaluese të gjitha lëndët e klasës së nëntë të arsimit bazë. Testi për secilin nga Provimet e Lirimit do të përmbajë 25 kërkesa, nga të cilat 13 kërkesa janë me përgjigje alternative dhe përbëjnë 13 pikë, kurse 12 kërkesa janë me zhvillim dhe përbëjnë 37 pikë. Provimet e Lirimit do të zgjasin 2 orë e 30 minuta. Në shkollat e pakicave kombëtare (greke dhe maqedonase) do të zhvillohet provimi i Lirimit edhe për gjuhën amtare. Për shkollat e pakicës kombëtare greke teza do të përgatitet nga Drejtoria Arsimore Rajonale Gjirokastër. Zyra Arsimore Delvinë dhe Zyra Arsimore Sarandë duhet të tërheqin në Drejtorinë e Gjirokastrës tezën në ditën e provimit. Për shkollat e pakicës kombëtare maqedonase teza do të përgatitet nga Drejtoria Arsimore Rajonale Korçë. Testi për provimin e Lirimit në gjuhën amtare do të përmbajë të njëjtat kërkesa si provimet e tjera. Për Institutin e nxënësve që nuk shikojnë, testi do të tërhiqet në Agjencinë e vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) nga drejtoria e Institutit një ditë para zhvillimit të provimit, që e kthen atë në sistemin e shkrimit “BRAIL”. Së fundi, notat e Provimeve të Lirimit do të shënohen në Dëftesën e Lirimit.
Provimet e Maturës
Për secilin nga provimet e detyruara të Maturës, testi do të përmbajë 25 kërkesa, nga të cilat 13 janë me përgjigje alternative dhe përbëjnë 13 pikë dhe 12 kërkesa janë me zhvillim dhe përbëjnë 37 pikë. Provimet e detyruara do të zgjasin 2 orë e 30 minuta secila. Ndërkaq, Ministria e Arsimit ka përcaktuar edhe sa do të jetë përqindja e notave të provimeve të detyruara (D1 dhe D2) për shkollat profesionale dhe social kulturore. Kështu, në shkollat profesionale Letërsia do të vlerësohet me 15%, kurse Matematika me 25%. Në shkollat social kulturore: Letërsia dhe Gjuha shqipe 25%, Matematika 15%. Në shkollat pedagogjike: Letërsia dhe Gjuha shqipe 20%, Matematika 20%. Notat e dy provimeve të detyruara do të shënohen në Dëftesën e Pjekurisë. Testet e provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore do të përmbajnë për secilën lëndë 20 kërkesa, nga të cilat 10 janë me përgjigje alternative dhe përbëjnë 10 pikë dhe 10 kërkesa janë me zhvillim dhe përbëjnë 30 pikë. Provimet me zgjedhje do të zgjasin 4 orë. Kohëzgjatja për dhënien e përgjigjeve për nxënësit që do të japin provim të Maturës njërën nga lëndët me zgjedhje është 2 orë. Këta nxënës do të zhvillojnë provimin në mjedise të veçanta. Testet për provimet e Maturës do të hartohen dhe administrohen nga Agjencia Qendrore e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), mbi bazën e programeve orientuese lëndore përkatëse. Për këtë, AVA, brenda muajit prill 2010 duhet të përllogarisë sasinë dhe llojin e testeve që duhet të përgatisë për secilin nga provimet e Maturës Shtetërore (të detyruara dhe me zgjedhje). Përzgjedhja e testit për secilin nga provimet e detyruara dhe me zgjedhje të Maturës 2010 do të kryhet nga specialistë të caktuar prej ministrit të Arsimit, të cilët emërohen përgjegjës të testit përfundimtar (PTP) në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit, brenda ambienteve të izoluara të AVA. Pas përzgjedhjes së testit do të kryhet shumëfishimi dhe paketimi i test-broshurave nga AVA.

Katër qendrat ku do të vlerësohen provimet e Maturës
Pas zhvillimit të çdo provimi të Maturës Shtetërore 2010, testet e nxënësve do të dërgohen nën masa të rrepta sigurie në godinën e shkollës “Sabaudin Gabrani”, Tiranë. Pas grumbullimit në këtë qendër, AVA do të kryejë inventarizimin dhe shpërndarjen e tyre në qendrat e vlerësimit. Kështu, edhe këtë vit, sikurse ai i kaluari, vlerësimi i testeve të nxënësve në provimet e Maturës do të bëhet në katër qendra. Përkatësisht katër qendra të do të jenë: në Tiranë, në godinën e shkollës “Sabaudin Gabrani”; në Elbasan, në godinën e shkollës “Qemal Stafa”; në Shkodër, në godinën e shkollës “Jordan Misja”; në Fier, në godinën e shkollës “Naim Frashëri”. Pas çdo provimi të Maturës, në secilën nga katër qendrat e vlerësimit, do të funksionojë në mënyrë permanente një grup i administrimit dhe monitorimit të testeve me përbërje si më poshtë: një përfaqësues i AVA-s; një përfaqësues i MASH-it; një përfaqësues i DAR-së përkatëse. Transporti i testeve të nxënësve nga Tirana për në secilën nga qendrat e vlerësimit Elbasan, Shkodër, Fier dhe anasjelltas, do të bëhet me automjete të drejtorive arsimore rajonale përkatëse, nga grupi i administratorëve, nën masa të rrepta sigurie.

Provimet e Lirimit, 25 pyetje për secilin test
Testi për secilin nga Provimet e Lirimit do të përmbajë 25 kërkesa, nga të cilat 13 kërkesa janë me përgjigje alternative dhe përbëjnë 13 pikë, kurse 12 kërkesa janë me zhvillim dhe përbëjnë 37 pikë. Provimet e Lirimit do të zgjasin 2 orë e 30 minuta.
Provimet me detyrim, 25 pyetje për secilin test
Për secilin nga provimet e detyruara të Maturës, testi do të përmbajë 25 kërkesa, nga të cilat 13 janë me përgjigje alternative dhe përbëjnë 13 pikë dhe 12 kërkesa janë me zhvillim dhe përbëjnë 37 pikë. Provimet e detyruara do të zgjasin 2 orë e 30 minuta secila.
Provimet me zgjedhje, 20 pyetje për çdo lëndë
Testet e provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore do të përmbajnë për secilën lëndë 20 kërkesa, nga të cilat 10 janë me përgjigje alternative dhe përbëjnë 10 pikë dhe 10 kërkesa janë me zhvillim dhe përbëjnë 30 pikë. Provimet me zgjedhje do të zgjasin 4 orë. Kohëzgjatja për dhënien e përgjigjeve për nxënësit që do të japin provim të Maturës njërën nga lëndët me zgjedhje është 2 orë.
Periudhat e izolimit për hartimin e testeve të Maturës
Periudhat kohore të ekspozimit potencial të sekretit (KOEPS-eve) për Maturën Shtetërore 2010 do të jenë:
25 maj–01 qershor 2010
08 qershor-15 qershor 2010
23 qershor–30 qershor 2010
Monitorimi i korrigjimit të provimeve të Maturës
Periudha e monitorimit dhe grafiku i paraqitjes së përfaqësuesve të grupit monitorues në AVA është:
Letërsi 3-13 qershor 2010
Matematikë 17-30 qershor 2010
Me zgjedhje 02-15 korrik 2010
Oraret e fillimit të provimeve
Provimet e Lirimit do të fillojnë në orën 10.00
Provimet e Maturës, të detyruara dhe me zgjedhje, do të fillojnë në orën 10:00

6 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›