E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braun: Ballkani, tranzit i heroinës

Ish-shefi i operacioneve në Agjencinë Amerikane kundër Trafikut të Drogës dhe ekspert i anti-trafikimit Majkëll Braun, ka deklaruar se megjithëse vendet e Ballkanit kanë rritur numrin e konfsikimeve, grupet e krimit të organizuar përsëri arrijnë të gjejnë rrugë të tjera.
Në një intervistë për "Zërin e Amerikës" Braun theksoi se ka disa vende përmes të cilave kalon droga në Ballkan, dhe kjo rrugë ndryshon vazhdimisht. Sipas tij arsyeja e ndryshimit është se ndërsa polica, ushtria dhe shërbimet e zbulimit bëhen më efikase, dhe fillojnë të kapin drogën në një zonë, grupet e fuqishme të krimit të organizuar kanë aftësinë të ndryshojnë rrugë shumë shpejt.
Zoti Braun thotë se kjo ndodh jo vetëm nga shkathtësia dhe fuqia e këtyre grupeve, por edhe për shkak të mjeteve të kufizuara në dispozicion të forcave të rendit, ushtrisë dhe shërbimeve të zbulimit që e luftojnë këtë trafik në vendet e Ballkanit.
"Për mendimin tim, nuk ka model organizativ më elastik sesa grupet e fuqishme të krimit të organizuar. Pra, sapo siguria rritet në një zonë, ato kalojnë shpejt në një zonë tjetër. Ato janë gjithnjë në kërkim të atyre, që unë i quaj "pika të dobëta" përmes të cilave mund të kalojnë sasi më të mëdha të produkteve të tyre dhe t'i nxjerrin në treg", ka nënvizuar Braun.
Gjithashtu Braun i pyetur se sa efikase kanë qenë qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës në operacionet e tyre kundër trafikut të lëndëve narkotike, theksoi se ato po punojnë mirë, por nënvizon se mungesa e mjeteve në dispozicion të policisë dobëson këtë luftë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›