E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ban në Uzbekistan

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, kërkoi dje nga Uzbekistani që të përmbushë obligimet ndërkombëtare që ka në fushën e respektimit të të drejtave të njeriut.

Gjatë fjalimit të tij para studentëve të Universitetit për Ekonomi dhe Diplomaci Botërore, Ban nuk përmendi ndonjë ankesë specifike të tij dhe nuk e përmendi shtypjen e përgjakshme të protestës në qytetin Andijan, në vitin 2005.

Por fjalimi i tij në kryeqytetin e Uzbekistanit ishte një porosi e fuqishme publike në një vend, ku çështjet e të drejtave të njeriut nuk diskutohen aq shpesh.

Presidenti autoritar i Uzbekistanit, Islam Karimov, i cili e kryeson këtë vend që nga viti 1991, në të kaluarën ka ndërmarrë masa represive kundër pjesëtarëve të opozitës dhe aktivistëve për të drejta të njeriut.

Duke theksuar se Uzbekistani ka nënshkruar marrëveshjet ndërkombëtare kundër torturës dhe për të drejta civile dhe politike, Ban theksoi se ka ardhur koha që këto marrëveshje të zbatohen në praktikë.

Ban theksoi para gazetarëve se të njëjtën porosi ja ka përcjellë edhe presidentit Karimov.

“Pres që qeveria e Uzbekistanit të veprojë dhe të shërbejë si shembull në rajon”, tha Ban.
Autoritetet e Uzbekistan fillimisht nuk komentuan fare deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›