E Diel, 1 Nëntor 2026

Braun: “Shqipëria e Kosova, transit i drogës afgane”

Autori i Lajmit: Redaksia

Raporti i Departamentit të Shtetit mbi Trafikun Ndërkombëtar të Drogës thotë se Shqipëria dhe Kosova shërbejnë si vende transite të trafikut të drogës që vjen nga Afganistani për në Evropën Perëndimore.
Këto vende, kohët e fundit, i kanë shtuar masat kundër trafikut. Majkëll Braun, ish-shef i operacioneve në Agjencinë Amerikane kundër Trafikut të Drogës dhe ekspert i antitrafikimit, thotë se megjithëse vendet e Ballkanit kanë rritur numrin e konfiskimeve, grupet e krimit të organizuar përsëri arrijnë të gjejnë rrugë të tjera. Braun thotë se kjo ndodh jo vetëm nga shkathtësia dhe fuqia e këtyre grupeve, por edhe për shkak të mjeteve të kufizuara në dispozicion të forcave të rendit, ushtrisë dhe shërbimeve të zbulimit që e luftojnë këtë trafik në vendet e Ballkanit.
Zoti Braun, Shqipëria dhe Kosova shihen si vende transite të heroinës afgane të destinuar për vendet e Evropës Perëndimore. Që nga fillimi i këtij problemi, cila ka qenë prirja, a është shtuar apo ka rënë sasia e drogës që kalon në këto vende gjatë viteve?
Është e vështirë të thuhet sepse ka disa vende përmes të cilave kalon droga në Ballkan, dhe kjo rrugë ndryshon vazhdimisht. Arsyeja e ndryshimit është se ndërsa polica, ushtria dhe shërbimet e zbulimit bëhen më efikase, dhe fillojnë të kapin drogën në një zonë, grupet e fuqishme të krimit të organizuar kanë aftësinë të ndryshojnë rrugë shumë shpejt. Për mendimin tim, nuk ka model organizativ më elastik sesa grupet e fuqishme të krimit të organizuar. Pra, sapo siguria rritet në një zonë, ato kalojnë shpejt në një zonë tjetër. Ato janë gjithnjë në kërkim të atyre, që unë i quaj “pika të dobëta” përmes të cilave mund të kalojnë sasi më të mëdha të produkteve të tyre dhe ti nxjerrin në treg. Sa herë që kapen sasi lëndësh narkotike, atyre u preken të ardhurat, dhe si çdo biznes tjetër, kjo është pika ku atyre u dhemb më shumë.
Pra ju thoni këto grupe reagojnë shumë shpejt? Por a është e mundur që konfiskimet të jenë shtuar, por edhe sasia e drogës së trafikuar të jetë shtuar gjithashtu?
Është e natyrshme që kur rritet kërkesa nga njëra palë, pala tjetër rrit numrin e dërgesave. Pra, meqenëse kërkesa rritet në Evropë, besoj se kjo ka qenë një ndër arsyet pse ne kemi parë një farë shtimi të trafikut të drogës afgane që kalon përmes rrugës Ballkanike.
Sa efikase kanë qenë qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës në operacionet e tyre kundër trafikut të lëndëve narkotike? A kanë reaguar në masën e duhur?
Mendoj se ato po bëjnë një punë të mirë, por përpjekjet duhet të vazhdojnë gjithmonë. Duke marrë parasysh mjetet që kanë në dispozicion, ato po punojnë mirë. Policia, ushtria dhe institucionet e sigurisë mund të veprojnë deri në një farë mase. Unë sapo e thashë se këto grupe të fuqishme që trafikojnë sasi të mëdha droge janë shumë elastike dhe të shkathëta. Dhe për sa kohë që policia, ushtria dhe shërbimet e zbulimit nuk kanë mjetet ajrore, detare apo tokësore për ta dërguar policinë në vendin e duhur në kohën e duhur, atëherë ata do të hasin në vështirësi.
Lufta kundër trafikimit të drogës kërkon përpjekje ndërkombëtare. Çfarë ndihme i ka dhënë Agjencia amerikane Kundër Trafikut të Drogës qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës në luftën kundër këtij trafiku?
Agjencia amerikane Kundër Trafikut të Drogës ka praninë më të madhe të forcave të rendit jashtë vendit, janë rreth 90 punonjës deri tani. Kjo agjenci nuk bashkëpunon vetëm me një apo dy vende në rajonin e Ballkanit, ajo shërben si një urë lidhëse mes shumë vendeve për të lehtësuar ndarjen e informacioneve të rëndësishme të zbulimit, për të bashkërenduar hetimet, në mënyrë që hetimet të kenë rezultate maksimale, pra të japin grushtin më të fortë në kohën e duhur për ti shkatërruar apo të paktën për ti dëmtuar rëndë këto organizata. Pra, ky është një rol i rëndësishëm që luan Agjencia amerikane Kundër Trafikut të Drogës. Megjithatë, duhet thënë se vendet që bashkëpunojnë me këtë Agjenci luajnë një rol po aq të rëndësishëm sa ajo. Gjithçka është e ndërlidhur, dhe ky nuk është një kërcënim sigurie që mund zgjidhet nga një, dy apo tre vende. Ky është një kërcënim global, prandaj duhet një përpjekje globale për ta luftuar atë.
Të gjitha këto vende të Ballkanit po përpiqen të integrohen në Bashkimin Evropian. Si do të ndikojë kjo tek shkëmbimi i informacionit, rritja e kapaciteteve dhe kualifikimi i forcave në vendet e Ballkanit nga ekspertë perëndimorë?
Nuk jam i sigurt nëse jam personi i duhur për tiu përgjigjur kësaj pyetjeje. Unë kam njohuri për Europolin, e cila është një organizatë e relativisht e re. Megjithatë, mund të them se nëse këto vende bëhen anëtare të Bashkimit Evropian, kjo mund tu krijojë mundësi të reja dhe mund tu japë mënyra të tjera për shkëmbimin e informacioneve shumë të rëndësishme të zbulimit dhe sidomos të provave. Sepse në fund të fundit janë provat ato që i duhen paraqitur gjykatave kompetente nëpër botë në mënyrë që bosët e drogës të mund të futen në burg dhe të qëndrojnë pas hekurave ku edhe u takon të jenë.
Trafiku i drogës sjell me vete krimin e organizuar, pastrimin e parave dhe korrupsionin. Po terrorizmin? A ka sjellë ky trafik me vete terroristë në zona si Shqipëria, Kosova dhe Ballkani në përgjithësi? Dhe si do të ndikojë kjo tek siguria e rajonit?
Siç e lashë të kuptohet edhe më parë, ndërkohë që shohim tranzicionin e vazhdueshëm të Talebanit dhe Al-Kaidës nga grupe që drejtohen vetëm nga ideologjia, në grupe që drejtohen nga Dollari apo Euroja, pra motivi ndryshon nga ideologjia tek fitimi, ky lloj skenari i sjell grupet në kontakte më të ngushta me grupe indigjene të krimit të organizuar që e kanë bazën në disa prej vendeve ballkanike. Pikërisht kjo më duket shqetësuese. Bashkëpunimi i tyre bëhet më i ngushtë në mënyrë krejt të natyrshme. Po ti hedhim një vështrim shifrave të OKB-së, dhe të shohim katër kategoritë më të rëndësishme të tregtisë së paligjshme në botë, ato radhiten në këtë mënyrë: droga sjell rreth 322 miliardë dollarë në vit të ardhura nga kontrabanda, pas saj renditet trafikimi i qenieve njerëzore me 32 miliardë dollarë, tregtia globale e armëve është e treta me 10 miliardë dollarë dhe tregtia e diamanteve ka të ardhura rreth një miliardë dollarë. Ideja është që nuk ka asnjë lloj tregtie të paligjshme në botë që sjell të ardhurat që sjell tregtia e paligjshme e trafikut të drogës. Prandaj, kjo jo vetëm që i tërheq shumë grupet e krimit të organizuar në të gjithë botën, por po bëhet gjithnjë e më tërheqëse edhe për organizatat terroriste. Ndërkohë që komuniteti global vazhdon përpjekjet në luftën kundër organizatave të fuqishme terroriste, ne kemi ndërprerë rrjedhën e parave që ata merrnin nga donatorë privatë dhe kemi ulur numrin e vendeve që mund të mbështesin hapur grupet terroriste. Për këto dy arsye, gjithnjë e më shumë grupe terroriste po përpiqen të gjejnë mënyra për ti mbajtur gjallë aktivitetet e tyre. Prandaj, ata po kalojnë natyrshëm drejt tregtisë së drogës, dhe sa më shumë të ndodhë kjo, aq më elastikë, aq më të shkathët dhe aq më mobile bëhen ata si dhe aq më të forta bëhen aleancat që fillojnë të krijojnë me grupe të fuqishme të krimit të organizuar, dhe kjo është shqetësuese për mendimin tim. Gjëja më e rrezikshme është ajo që unë e quaj organizata terroriste hibride. Një grup që nga njëra anë funksionon si organizatë terroriste, por nga ana tjetër është edhe organizatë e trafikut global të drogës.

Të ardhurat në vit

Tregtia e paligjshme në botë

Droga
322 miliardë USD

Trafikimi i qenieve njerëzore
32 miliardë USD

Tregtia e armëve
10 miliardë USD

Tregtia e diamanteve
1 miliard USD

Ky lajm është publikuar: 06/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›