E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeci, Ylli Pinari për herë të parë në gjykatë

Autori i Lajmit: Redaksia

Për herë të parë në Gjykatë u paraqit dje ish-drejtori i shumëpërfolur i ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari. Ai nuk është paraqitur asnjëherë më parë në gjykatë, ndërsa mbahet në gjendje “arrest me burg” në qelitë e paraburgimit 313 në Tiranë. Pinari pritej të jepte deklarime dje në gjykatë në lidhje me akuzat “vrasje masive” dhe “shpërdorim detyre” që janë ngritur ndaj tij nga prokuroria. Pas dy akuzave për “shpërdorim detyre” dhe “aktivitet antiligjor me pasojë vrasjen e popullsisë civile në rrethana të cilësuara” të shpallura prej kohësh ndaj tij, Ylli Pinari do të përballet edhe me akuzën e trafikimit të armëve. Ka qenë laptopi personal i Pinarit prova më e fortë e prokurorëve, të cilët ia sekuestruan në zyrë laptopin pesë ditë pas shpërthimit në Gërdec. Menjëherë pasi prokurorët e shpallën laptopin e Pinarit si provë të lidhur me hetimin, ish-drejtori i “MEICO”-s, ndonëse i arrestuar, e paditi Prokurorinë në gjykatë duke kundërshtuar marrjen e laptopit dhe cilësimin e tij si provë fizike. Ndërsa dje, trupi gjykues i kryesuar nga Ridvan Hado hapi seancën dhe pasi verifikoi mungesën e avokatëve mbrojtës, vendosi shtyrjen e saj. Avokati i Mihal Delijorgjit, Maks Haxhia, kundërshtoi vendimin e gjykatës duke kërkuar vazhdimin e procesit për klientin e tij. Protesta e avokatit erdhi për shkak se gjykata pezulloi afatet e paraburgimit, duke mos llogaritur kështu ditët e qëndrimit në burg të të pandehurve përfshi edhe Delijorgjin. Seanca e radhës, sipas gjykatës, do të zhvillohet sipas grafikut të zakonshëm të procesit, ditën e premte të kësaj jave.

Ky lajm është publikuar: 06/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›