Zhdukja e kosovarit, policia po heton tabulatet telefonike
TIRANË- Rreth një javë pas zhdukjes misterioze të kosovarit Ismet Kryeziu, policia dyshon se ai është larguar me dëshirën e tij. Prej ditës së shtunë të javës së kaluar, kur Anila Leli denoncoi zhdukjen e bashkëshortit të saj, policia e Tiranës është vënë në lëvizje për të lokalizuar vendndodhjen e tij. Deri më tani, burimet policore thanë se janë ngritur disa pista hetimi, por kryesorja mbetet ajo e largimit me dëshirë e kosovarit, për arsye që mbeten për t’u sqaruar. Ismet Kryeziu, ish-eksponenti i UÇK-së dhe mik me biznesmenin e zhdukur, Remzi Hoxha është larguar pa lënë adresë prej rreth një jave dhe ende nuk dihet vendndodhja e tij.“Deri më tani po hetojmë në disa pista për zhdukjen e kosovarit Ismet Kryeziu, por pista kryesore mbetet largimi me dëshirë nga ana e 54-vjeçarit”,- thanë për “Shekullin” burimet policore të kryeqytetit. Prokuroria e Tiranës e cila ka marrë në dorëzim çështjen “Kryeziu” e ka klasifikuar atë në “largim nga banesa”. Sipas burimeve policore, fakti që nuk ka dëshmitarë që të kenë parë kur 54-vjeçari kosovar të jetë rrëmbyer, apo familjarët të jenë lajmëruar nga autorët e rrëmbimit ka bërë që ngjarja të mos klasifikohet si “rrëmbim personi”. Megjithatë, për policinë kjo pistë mbetet ende nën hetim, deri në përfundim të verifikimeve. “Po verifikohen tabulatet telefonike të Kryeziut si dhe pikat e kalimit kufitar për të zbuluar nëse ai ka dalë jashtë Shqipërisë”,- shtuan më tej burimet policore. Sipas të njëjtave burime, familjarët e Kryeziut janë marrë në pyetje dhe kanë deklaruar se nuk kanë pasur kërcënime apo ndonjë të dyshuar që mund të ketë rrëmbyer 54-vjeçarin. Ndërkohë që në pyetje është marrë edhe personi i cili sipas deklarimeve të bashkëshortes së kosovarit ka qenë i fundit që ka pasur kontakte me të. “Dilaver Goxhaj i cili dyshohet të ketë qenë personi i fundit që ka takuar Kryeziun deklaroi në polici se e kishte takuar atë rastësisht, kur ai ishte me bashkëshorten dhe motrën e kësaj të fundit. Më pas nuk ishte takuar më me të”,- thanë për gazetën burimet policore të Tiranës. Tri javë më parë, Ismet Kryeziu bashkë me vajzën 3 –vjeçe dhe gruan e tij 29-vjeçare, Anila Leli, mbërritën në Tiranë për të qëndruar dy javë tek familja e kësaj të fundit që jeton në lagjen “Allias”. Ditën e shtunë, një ditë para se të niseshin për në Kosovë, 54-vjeçari Ismet Kryeziu është larguar pa lënë adresë e që prej asaj dite nuk dihet asgjë për fatin e tij.