E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brazil, identifikohen 11 trupat e Air France

Zyrtarët në Brazil kanë identifikuar 11 trupat e parë nga 50 viktimat e gjetura në ujërat e Atlantikut, pas rrëzimit të avionit të linjës Air France, tragjedi e cila provokoi vdekjen e 228 personave që ndodheshin në bordin e avionit. Gati tre javë pas rrëzimit mbi oqeanin Atlantik të avionit francez me pasagjerë është bërë i mundur deri tani identifikimi i dhjetë brazilianëve dhe një tjetër personi, shtetas i huaj, bëjnë të ditur autoritetet braziliane. Gjashtë burra dhe pesë gra janë identifikuar në bazë të gishtave dhe dhëmbëve. Deri tani nga kërkimet e bëra janë gjetur gjithsej 50 kufoma. Airbus i agjensisë ajrore të fluturimit Air France, u rrëzua më 1 qershor me 228 njerëz në bord ndërsa kishte nisur udhëtimin nga Rio de Janeiro për në Paris. Ndër të vdekurit ishin edhe 28 gjermanë. Shkaqet e rrëzimit të avionit ende nuk janë bërë të ditura. Airbus A330 përfundoi në ujërat e thella të oqeanit Atlantik në 1 qershor, ndërsa nuk është gjetur ende regjistruesi i të dhënave, dhe për pasojë shkaku i rrëzimit mbetet një mister. Në vendin e ngjarjes vazhdojnë kërkimet ndërsa ndihma të specializuara kanë ardhur edhe nga vende të tjera. Ndërkaq kufomat janë dërguar në morgun e Recifes në Brazil për të vijuar me procedurat e domosdoshme. Spekulimet ne lidhje me atë se çfarë mund të ketë shkaktuar rrëzimin e avionit, vazhdojnë të përqëndrohen në problemin që mund të kenë patur sensorët e shpejtësisë ,që njihen ndryshe me emrin tubat Pitot. Nga burimet zyrtare mësohet se nga avioni janë regjistruar parregullsi lidhur me shpejtësinë para se te humbiste kontakti me mjetin fluturues.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›