Brazil, ministri i Sporteve nën akuzë për korrupsion
Një kompani ndërtimi pranon se ka paguar para nën dorë për punime të ndryshme
Image Brazili vazhdon të përballet me probleme të mëdha në lidhje me organizimin e Botërorit 2014 dhe Lojërave Olimpike 2016, pas akuzave për korrupsion në drejtim të ministrit të Sporteve, Orlando Silva. E përjavshmja braziliane ‘Veja’ ka publikuar fakte se numri një i sportit në vend ka marrë ryshfete të majme dhe ka krijuar kompani fantazmë, që kontrollonin paratë të destinuara për zhvillimin e sportit te fëmijët. Megjithëse këto akuza nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë, me Botërorin dhe Olimpiadën, ato i kanë dhënë një goditje të rëndë prestigjit të Brazilit në prag të dy kompeticioneve më të mëdhenj të sportit botëror. Akuzat ndaj ministrit Silva i shtohen akuzave të shumta për korrupsion me të cilat përballet qeveria braziliane në lidhje me fryrjen e buxhetit të parashikuar për ndërtimin dhe rikonstruksionin e stadiumeve, aeroporteve dhe infrastrukturës së nevojshme që kërkojnë këto turne gjigante. Po ashtu, organizatorët brazilianë përballen me vonesa shumë të mëdha në projektet e parashikuara për mbarëvajtjen e Botërorit të futbollit dhe më pas të Lojërave Olimpike. Vetë Orlando Silva ka mohuar akuzat, por mediat braziliane kanë publikuar dëshminë e presidentit të një kompanie ndërtimi, i cili pretendon se i ka dhënë para nën dorë ministrit të Sporteve në parkingun e ministrisë së tij.