E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brazili 1970, më i mirë se Spanja

Pele beson se skuadra e Brazilit nga viti 1970 ishte më e talentuar se ajo e tanishme Spanjolle e cila po dominon në futbollin ndërkombëtar. 71 vjeçari thotë se ekipi triumfues brazilian nga Kampionati botëror 1970 përmbante më tepër futbollistë të jashtëzakonshëm se skuadra aktuale e Vicente del Bosques. Nëse do të takoheshin së bashku, Pele nuk dyshon në fitoren e Brazilit.

Skuadra fituese e Brazilit nga Kampionati botëror 1970 përmbante më tepër futbollistë të talentuar se ekipi aktual dominues i Spanjës, ka thënë anëtari i saj, Pele. I pyetur se kush do të fitonte një përballje mes dy skuadrave, Pele buzëqeshi dhe tha: “Nëse do të luaja unë, ne do të fitonim, nuk ka dyshim”.

“Përderisa po krahasohen skuadrat me atë të vitit 1970, e bëjnë këtë për shkak se ekipi i 1970-ës është më i mirë. Skuadra e atëhershme është standard me të cilin vlerësohen të tjerët”, shtoi ai.

Spanja fitoi Kampionatin evropian për herë të dytë me radhë të dielën, dhe shtuar me Botërorin 2010 u bë ekipi i parë në histori që fitoi tre gara të njëpasnjëshme ndërkombëtare. Dominimi i Spanjës dhe stili i lojës i bazuar në posedim i ka zgjuar krahasime me ekipin e Brazilit të vitit 1970, që konsiderohet si më i miri.

Ajo skuadër, e udhëhequr nga Pele, e ku përfshiheshin edhe Rivellino, Gerson, Tostao dhe Jairzinho fitoi Kampionatin botëror në Meksikë duke shkatërruar Italinë 4-1 në finale. Pele u pensionua nga futbolli më 1971 dhe nuk shkoi në Kampionatin botëror në Gjermaninë Perëndimore më 1974, ku skuadra braziliane përfundoi e katërta.

Pele, 71 vjeç ka thënë se dallimi mes Brazilit të asaj kohe dhe Spanjës sot ishte numri i futbollistëve të jashtëzakonshëm në secilën skuadër. Ai tha se Brazili ishte larg më superior në krahasimet futbollist-futbollist. “Këto krahasime gjithmonë do të jenë aty por nuk mund ti krahasoni ata individualisht. Individualisht, ekipi i 1970 kishte shumë më tepër futbollistë të mirë se Spanja, që ka dy ose tre lojtarë të jashtëzakonshëm”, u shpreh ai.

Megjithatë, ish ylli i Santosit dhe New York Cosmos lavdëroi spanjollët dhe tha se kënaqet duke i shikuar ata duke luajtur. “Pa dyshim, kjo skuadër e Spanjës e luan futbollin më të dashur për sy, dhe e ka bërë këtë në gjeneratat e fundit”, tha Pele.

Pele voton Casillasin

Pele ka bërë thirrje që Topi i Artë i FIFA-s ti jepet Iker Casillasit. Portieri i Real Madridit dhe Spanjës kompletoi një sezon të shkëlqyeshëm gjatë së cilit fitoi La Ligan dhe Euro 2012. “Zakonisht janë futbollistët sulmues që fitojnë Topin e Artë por mendoj se do të ishte e padrejtë të bëhet një vlerësim i tillë. Nuk ka dyshim rreth paraqitjeve të Casillasit në gara të mëdha. Kjo do të jetë një mundësi e mirë që ai të fitojë Topin e Artë”, përfundoi Pele.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›