E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flet Andres Iniesta

Është kohë për të pushuar pas një sezoni tepër të gjatë dhe përgjithësisht të suksesshëm. Por, nëse je një simbol duhet edhe të jesh publik. i tillë është Andres Iniesta, i shpallur lojtari më i mirë i Euro 2012-ës dhe që del para medias për kënaqësinë e dashamirësve të futbollit.
 “Ndihem shumë i lumtur për këtë vlerësim. Ishte diçka shumë e bukur pasi u vlerësua puna ime, mënyra e lojës sime, stili i futbollit që u përcoll nga ne. Jam i lumtur sidomos pasi dolëm edhe kampionë të Europës. Ishte mënyra më e bukur për ta mbyllur Europianin, por edhe finalja ishte ndeshja më e mirë. Për mua ishte shumë e mirë. Ne ishim të shpejtë, ishim efektivë, të qartë dhe mjaft agresivë në sulm”, u shpreh Iniesta.
Por, a mund ta fitojë Andres Iniesta Topin e Artë, diçka që sezonet e fundit është diskutuar vetëm nga Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo?
“Personalisht nuk konkurroj me Mesin, Ronaldon, Ksavin apo Kasijasin. Nuk konkurrojmë njëri-tjetrin. Topin e Artë e vendosin ata që votojnë. Por, është e vështirë të konkurrosh me Mesin, me 82 golat e tij. Mendoj se është ai që e meriton Topin e Artë, veçse njerëzit i shohin gjërat në mënyra të ndryshme. Për shembull, unë u shpalla më i miri në Europian pa shënuar asnjë gol”, vlerësoi ai.
Kapitulli “Spanjë” u mbyll. Me mjaft sukses. Tani rihapet tema e Barcelonës, që synon të rikthehet tek trofetë e mëdhenj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›