Mehmeti : Unë trajner i Dinamos? Për këtë vendos presidenca e klubit
Pas largimit të ish-trajnerit Artan Mërgjyshi, dinamovitët ka filluar stërvitjen nën drejtimin e zv.trajnerit Dritan Mehmeti, i cili e njeh mjaft mirë ambientin blu
Nga ANDI TANKU
Pas largimit të ish-trajnerit Artan Mërgjyshi, ekipi i Dinamos ka filluar stërvitjen nën drejtimin e zv.trajnerit Dritan Mehmeti, i cili e njeh mjaft mirë ambientin blu, duke qenë njëkohësisht edhe trajneri i të rinjve të skuadrës së kryeqytetit. Në një intervistë për gazetën ” Sporti Shqiptar ”, Mehmeti sqaron edhe pozicionin e tij aktual tek ekipi i Dinamos. Ai sqaron se për momentin thjesht po stërvit ekipin, ndërsa për sa i përket postit të trajnerit e shikon si kompetencë të presidencës. Por në se do ti ofrohej ky post, Mehmeti do ta mirëpriste, ndonëse është një përgjegjësi e madhe.
Ju jeni duke stërvitur Dinamon për momentin, por a do të jeni ju trajneri i ri i ekipit për vitin e ardhshëm?
Momentalisht, pas largimit të ish-trajnerit Artan Mërgjyshi, unë jam duke stërvitur skuadrën, por ende nuk është vendosur nëse do të jem apo jo trajneri i Dinamos vitin e ardhshëm. Nëse presidenca mendon të konfirmojë emrin tim si pasuesin e Mërgjyshit, nuk do ta refuzoja ofertën e tyre, pavarësisht gjendjes jo të favorshme në të cilën ndodhet ekipi pas rënies një kategori më poshtë. Megjithatë e theksoj, se çështja e trajnerit të Dinamos i takon presidencës se klubit për ta zgjidhur.
Momentalisht, sa lojtarë ka në përbërjen e saj skuadra e Dinamos?
Për momentin, janë 25 futbollistë që po vazhdojnë stërvitjen me ekipin e Dinamos. Disa prej tyre janë lojtarë, të cilët kanë qenë pjesë e skuadrës vitin e kaluar, ndërsa pjesa tjetër janë futbollistë, që janë afruar nga ekipet e moshave. Mund të përmendim këtu, lojtarët e afruar nga ekipi i të rinjve si, Bozhanaj, Keta, Bajaziti, Laço dhe Gjonikaj.
Kategoria e Parë është një kampionat i vështirë, sipas jush, sa shanse ka Dinamo për t’u rikthyer në Superiore?
Nuk është momenti të flasim për shanset që ka Dinamo për t’u ringritur atje ku ka qenë, pavarësisht dëshirës së madhe që kemi për ta parë atje ku i takon këtij ekipi. Kategoria e Parë është një kampionat, ku këtë vit do të marrin pjesë ekipe që i kanë dhënë tonin futbollit shqiptar ndër vite. Kujtojmë këtu, Partizanin, Elbasanin, Besëlidhjen, Lushnjen e shumë të ekipe të tjera. Konkurrenca do të jetë shumë e madhe, pikërisht për shkak të përbërjes që ka kjo kategori. Por unë mendoj, se një disavantazh që do të ketë Dinamo këtë vit është edhe faktori fushë. Takimet në transfertë do të jenë shumë të vështira për ne, për shkak se lojtarët duhet të ambientohen me ashpërsinë sportive dhe tensionin më të lartë që ka kjo kategori në krahasim me atë superiore. Për këtë arsye futbollistët, ku pjesa më e madhe janë shumë të rinj në moshë duhet të përshtaten sa më shpejt me këtë ambient sportiv, ku do të luajnë vitin e ardhshëm, për të marrë sa më shumë pikë në takimet që do të zhvillohen jashtë kryeqytetit.
Për sa i përket çështjes financave të klubit. Sa e sigurt ndihet Dinamo në këtë aspekt?
Për sa i përket anës financiare, kemi marrë mbështetjen e presidentit të klubit z. Besnik Sulaj, i cili ka shprehur dëshirën për të siguruar financat e nevojshme për të përballuar me sukses edhe në këtë aspekt vitin e ardhshëm futbollistik.
Dinamo-Partizani, derbi i shumëpritur vjen në Kategorinë e parë?
Unë mendoj se derbi Dinamo- Partizani do të ndiqet edhe me më shumë interes, sepse ka kohë që i mungon futbollit një takim i tillë. Edhe pse është për të ardhur keq, që një sfidë e tillë të mos zhvillohet në kategorinë e më të mirëve, mendoj se për sportdashësit dhe tifozët e të dyja ekipeve do të jetë një ndeshje, që do të përjetohet me emocione të veçanta.
Në muajin e fundit Dinamo zhvilloi disa ndeshje miqësore, po në këtë periudhë a keni planifikuar ndonjë takim tjetër miqësor?
Po, është e vërtet që kemi zhvilluar takime miqësore, ku kemi luajtur edhe me Tiranën. Por, edhe ne ditët në vazhdim do të kemi një miqësore tjetër që do ta luajmë ndaj ekipit të Vorës. Ditën e premte do të përurohet stadiumi i kësaj skuadre dhe dëshira e tyre ishte që sfidën e parë në stadiumin e ri ta luanin ndaj ekipit të Dinamos. Ftesës së tyre iu përgjigjëm pozitivisht dhe ditën e premte në orën 17:30 do të luajmë këtë takim ndaj ekipit të Vorës.
