Lamtumirë, Arsenal!

Sulmuesi i Arsenalit, Robin van Persie ka njoftuar se nuk do të vazhdojë kontratën e tij me klubin. 28 vjeçari, i cili ka vetëm edhe një vit në marrëveshjen aktuale, konfirmoi se është takuar me menaxherin Arsene Wenger dhe drejtorin ekzekutiv, Ivan Gazidis.
Por, ai tregoi se ata kanë mosmarrëveshje rreth planeve për të ardhmen e klubit.
“Kam menduar gjatë dhe kam vendosur të mos e vazhdoj kontratën time”, deklaroi nëpërmjet një komunikate holandezi i cili erdhi në klub më 2004. Ende nuk është e qartë nëse Van Persie, i cili gjatë sezonit të kaluar shënoi 41 gola në 53 ndeshje për klubin dhe Kombëtaren, do të respektojë pjesën e mbetur të kontratës ose do kërkojë largimin nga Emirates. Arsenali u përgjigj me një komunikatë ku thuhej: “Ne duhet të respektojmë vendimin e Robinit për mosvazhdimin e kontratës. Robin ka edhe një vit në marrëveshjen e tij dhe besojmë se ai do të respektojë obligimin e tij ndaj klubit. Ne planifikojmë me ambicie dhe besim për sezonin e ri dhe interesi i klubit është gjëja më e rëndësishme”. Gjiganti londinez nuk dëshiron t’i përsëritet skenari i vitit të kaluar, kur Cesc Fabregas dhe Samir Nasri u shitën pak para fillimit të sezonit. Reprezentuesi holandez shtoi në komunikatën e tij se do të ketë takime tjera pas rikthimit të Gazidisit nga pushimi dyjavor në Shtetet e Bashkuara dhe se do të njoftojë për zhvillimet e mëtutjeshme “nëse dhe kur të ketë zhvillime”.
Duke iu referuar takimit – më 16 maj – me Wengerin dhe Gazidisin, Van Persie tha: “Ishte një takim ku është diskutuar për strategjinë e të ardhmes në klub dhe politikën. Detajet financiare ose kontrata nuk janë diskutuara sepse ato nuk janë aspak prioritet imi. Personalisht kam kaluar një sezon të mirë, por golat e mi synojnë të sjellin tituj në ekip dhe lavdinë e dikurshme. Në shenjë respekti për Wengerin, futbollistët dhe tifozët, nuk dua të hyj në detaje, por fatkeqësisht në këtë takim edhe njëherë është bërë e qartë se ne kemi mosmarrëveshje në shumë aspekte rreth të cilave Arsenali duhet të shkojë përpara”.
Të martën, Wenger kishte insistuar se: “Duam ta mbajmë Van Persien me çdo kusht sepse ne varemi shumë prej tij. Gjithmonë e kam përkrahur, edhe në kohët më të vështira, dhe shpresoj që ai të pensionohet në Arsenal”. Van Persie, i cili tetë vite më parë iu bashkua Arsenalit nga Feyenoord për 2.75 milionë funte, tha se komunikata e tij ishte e nevojshme për shkak të spekulimeve të vazhdueshme në media rreth të ardhmes së tij. “E dua klubin dhe tifozët, pa marrë parasysh çka ndodh. Jam rritur gjatë kësaj kohe në klub. Të gjithë kanë qenë përkrahës ndaj meje dhe jam krenar që jam pjesë e këtij klubi fantastik”, përfundoi ai. Van Persie kërkohet nga Manchester City, Manchester United dhe Juventus.
Statistikat e Van Persiet në Arsenal:
2004-05: 41 ndeshje, 10 gola
2005-06: 38 ndeshje, 11 gola
2006-07: 31 ndeshje, 13 gola
2007-08: 23 ndeshje, 9 gola
2008-09: 44 ndeshje, 20 gola
2009-10: 20 ndeshje, 10 gola
2010-11: 33 ndeshje, 22 gola
2011-12: 48 ndeshje, 37 gola