E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brazili: Skuadra perfekte e Karlos Dungës

Ka hequr dorë nga disa karakteristika tradicionale të futbollit brazilian, si fantazia para taktikës apo pasionit përpara organizimit difensiv

Brazili shkon drejt Holandës si njëra pjesë e historisë kundër tjetrës. Brazili i pesë titujve kampionë bote, më shumë se kushdo tjetër, kundër shpikësve të futbollit total, i cili tashmë thuajse nuk ekziston. Por edhe brazilianët, për të arritur deri këtu, kanë preferuar të heqin dorë nga disa karakteristika tradicionale, si fantazia para taktikës apo pasionin e kanë shkëmbyer me organizimin difensiv. Sinteza që derivon, bën të flitet për “skuadër perfekte”. Të kërkojmë të zbulojmë mekanizmat.

Portieri – Shpesh, në të kaluarën, numri 1 ka qenë problemi i Seleçaos. Edhe pse, mund të hidhet poshtë më një batutë, portieri nuk është një rol më nën presion për skuadrën më të mirë të botës. Por tani, me Julio Sezar, është zgjidhur problemi: Interisti, i cili këtë vit fitoi Champions League, titullin dhe Kupën e Italisë, kërkon pokerin e trofeve.

Qendrorët - Huan e Lusio janë më të mirët që ekzistojnë. Ekspertë, të blinduar dhe të aftë të shënojnë: Huan me kombëtaren ka shënuar tashmë një gol të rëndësishëm, atë kundër Kilit: një goditje me kokë, që zhbllokoi rezultatin 0-0 dhe hapui dishezën e brazilianëve drejt çerekfinaleve.

Anësorët – Kjo skuadër e Brazilit i ka të gjitha në proporcion. Maikon, në rolin e tij, nuk ka konkurrentë, është sigurisht më i mirë në botë në atë krah: këmbë magjike, krose sublime, goditje të parezistueshme dhe gola mahnitës. Por edhe Mishel Bastos, në të majtë, nuk bën shaka: ka një gjuajtje shumë të fuqishme dhe është shumë dinamik. Maikon e Bastos, përveç të tjerave, dinë të avancojnë pa prishur balancimin e skuadrës.

Mesfusha – është ndoshta mekanizmi kryesor i Brazilit të Dungës: dy mesfushorë qendre vërtet të fortë për të bllokuar çfarëdo lloj iniciative të kundërshtarit. Bëhet fjalë për ekspertët Gilberto Silva e Felipe Melo, tashmë të bllokuar nga një dëmtim. Dy mesfushorët garantojnë ekuilibër dhe mbrojnë edhe në rastet e iniciativave të lojtarëve të krahut.

Krahu – Një tjetër rol klasik i futbollit antik, që te Brazili mbulohet nga Elano, i dëmtuar ndaj Tiote i Bregut të Fildishtë (mungon ndaj Holandës dhe ndoshta botërori për të ka mbaruar). Në vend të tij, Dunga ka hedhur Dani Alvesh të Barcelonës, mesfushor të krahut, që di edhe të mbrojë.

Fantazisti misterioz – Ai është Kaka, ende në kërkim të golit të parë në botëror. Edhe pse asistet e tij, për momentin, nuk vlejnë pak. Kuptohet shumë mirë me Luis Fabianon. Pritshmëria për të është e madhe edhe sepse shqetësohet vazhdimisht nga dëmtimi në ije. Ka vendosur të mos operohet, të paktën për momentin. Kaka është motori i paparashikueshëm i Brazilit: kur është mirë, shpërthimet e tij janë vdekjeprurëse.

Plot fantazistë – Flitet për Robinjon, me fytyrën e fëmijës më të rrezikshëm të botërorit. Ndonjëherë është jashtë orbite, por kur hyn në lojë është me helmues se një nepërkë. Kombinon shpejt me shokët e sulmit ose gjuan vetë, si në golin e tretë ndaj Kilit. Teknik e i shpejtë. Ai duket tamam një brazilian i kohëve të tjera.

Bomberi – Një tjetër komoditet për Seleçaon, e pasur në historinë e numrave 10: Luis Fabiano, është një dragua i vërtetë: 28 gola në 42 ndeshje me kombëtaren janë një numër që i mbyll gojën kujtdo. Ai mund t’ua shuajë holandezëve ëndrrën europiane.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›