E Shtunë, 31 Tetor 2026

Holanda e përçarë përballë mallkimit me emrin Brazil

Tulipanët Shnajder tenton të minimizojnë polemikën me Van Persin, por shqetësimi qëndron

Ndeshja ndërmjet Holandës dhe Brazilit do të hapë fazën çerekfinale në Afrikën e Jugut 2010. Parashikimi për fituesen e kësaj sfide është mjaft i pasigurt, megjithatë qëndron fakti se në dy përballjet e mëparshme në Kupën e Botës, “seleçao” i ka eliminuar portokallinjtë. Në vitin 1994, në aktivitetin e zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dy skuadrat luajtën pikërisht në çerekfinale, ku amerikanojugorët fituan me rezultatin 3-2. Ndeshja ishte mjaft emocionuese: brazilianët kryesonin 2-0 me golat e Bebetos dhe Romarios, por holandezët arritën të barazonin shifrat. Goli që vendosi takimin u realizua nga Branko, kur mungonin edhe 10 minuta nga përfundimi i kohës së rregullt. Brazili luajti sërish me Holandën në Francë ’98, kësaj radhe në gjysmëfinale. “Tulipanët” pësuan një zhgënjim edhe më të madh, sepse u eliminuan pas ekzekutimit të 11-metërshave, ndërsa koha shtesë u mbyll në barazim 1-1 me golat e Ronaldos dhe Klajvert.
Por, përveçse ka kundër historinë, Holanda paraqitet në duelin me Brazilin e Karlos Dungës edhe mes problemeve brenda skuadrës. Të gjithë në vendet e ulëta janë të shqetësuar për shkak të përçarjes së kontingjentit “portokalli”. Gjithçka ndodhi në sfidën me Sllovakinë, kur në momentin e zëvendësimit, Robin van Persi nuk e fshehu zemërimin ndaj trajnerit Van Marvijk. Ai duket se i ka thënë trajnerit të largonte nga fusha Uesli Shnajder, ndërsa pretendonte se drejtuesi i stolit e mori vendimin pas presionit të organizatorit të Interit. Mediat holandeze flasin për një skuadër të ndarë më dysh: ku grupi i drejtuar nga Shnajder ka konflikt me atë të sulmuesit të Arsenalit. Përplasja mes lojtarëve lidhet me një debat në Euro 2008 për ekzekutimin e një goditjeje dënimi, në sfidën e humbur 3-1 me Rusinë. Ndërkohë, ngjarje të tilla nuk janë të panjohura në radhët e kësaj përfaqësueseje: ato fillojnë me problemet ndërmjet lojtarëve të Ajaksit dhe atyre të Fejnordit në vitin 1974, në skuadrën nënkampione të botës, që shpiku futbollin total. Katër vjet më vonë Johan Krujf nuk luajti në botëror, sepse ishte zënë me të gjithë shokët e skuadrës, ndërsa problemet u përsëritën në euro 1996, me problemet me sfond racial, ndërmjet lojtarëve të bardhë dhe atyre të zinj. Për të minimizuar polemikën e Botërorit 2010 ka ndërhyrë Shnajder, i cili deklaroi: “Ndërmjet meje dhe Van Persit nuk ka asnjë problem. Robin më takoi dhe më konfirmoi se nuk i kishte thënë asnjëherë ato fjalë”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›