"Brazili ‘armik‘, refuzoni miqësoren"
Ministri italian i Mbrojtjes, Injacio La Rusa, hedh propozimin e anulimit të miqësores mes Italisë dhe Brazili, për shkak të tensioneve diplomatike mes dy vendeve, që u provokuan nga çështja "Çezare Batisti". Brazili ka refuzuar të ekstradojë Batistin, i cili në Itali akuzohet si autor i katër vrasjeve dhe njëkohësisht si anëtar i një organizate terroriste të viteve ‘70. Madje vendi amerikano-latin mund t‘i japë personit në fjalë edhe azil politik. Ministri Injacio La Rusa ka theksuar dje se "personalisht e kisha parashikuar ta shikoja ndeshjen Itali-Brazil, kisha blerë biletat e avionit, por nuk do të shkoj". Ministri shpjegon se, "nëse do të flitej për një ndeshje zyrtare, e tipit për Botëror, atëherë do të ishte e drejtë që politika të mos ndërhynte. Por këtu, saktëson ai, bëhet fjalë për një takim miqësor, dhe unë në këtë moment nuk gjej arsye miqësie me Brazilin, që lë të lirë një terrorist vrasës si Çezare Batisti. Unë do ta anuloja miqësoren e futbollit". Ndeshja, e programuar për më 11 shkurt në Londër, ka qenë objekt polemikash në ditët e kaluara. Zëvendëssekretari i Jashtëm, Alfredo Mantika, kishte propozuar anulimin e miqësores. Atij i ishte përgjigjur zëvendëssekretari i Sportit, Roko Krimi, i cili kishte propozuar vullnetin e qeverisë për t‘u luajtur ndeshja. "E shikoj si shumë të nxituar, kundërpërgjigjet La Rusa, të thuash se ndeshja do të bëhet, sepse sporti nuk ka lidhje me politikën. Në këto moment nuk ka arsye miqësie me Brazilin". Reagimet për këtë kanë qenë të menjëhershme. "Futbolli është një mundësi e federatës për të ngritur zërin dhe që duhet shfrytëzuar në mënyrën më të mirë. Miqësorja Itali-Brazil është një mundësi që nuk mund të hidhet në erë", ka nënvizuar Paolo Rosi, ish-kampioni italian, fitues i Botërorit të Spanjës 1982, duke u shënuar një tripletë pikërisht brazilianëve. Ai nuk është dakord me propozimin e ministrit. Përveç tij, ka reaguar edhe senatori i përjetshëm Xhiulio Andreoti: "Kurrë nuk është e nevojshme që politika të ndërhyjë në sport, pasi ky do të ishte një gabim i rëndë për ne".