E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjeku kërkon para për KEMP-in e një fëmije

Nëse do të firmosësh raportin për KEMP te mjeku neurolog i spitalit të Pogradecit, duhet t‘i lësh si bakshish këtij mjeku pensionin që merr nga shteti për një muaj. Kjo ishte mënyra me të cilën mjeku Llazi Binishi firmos raportin për një fëmijë 13-vjeçar nga fshati Senisht i Mokrës.

E.Shahini, 13 vjeç, pas një temperature të lartë që ka kaluar kur ka qenë foshnjë, mbeti i paralizuar. Por që të përfitojë pensionin ushqimor nga shteti, atij dhe prindërve të tij u duhet një fletë drejtimi për KEMP, që firmoset fillimisht nga mjeku neurolog i spitalit të Pogradecit dhe më pas nga dy mjekë të tjerë.

Babai i fëmijës, Bedri Shahini, tregon për "Fiks Fare" se mjeku Llazi Binishi nuk ia firmosi fletën e drejtimit për KEMP pa i dhënë lekët. Këtë pagesë ai e bën çdo vit te ky mjek, sa herë që i firmos dokumentin në fjalë.

Fillimisht, për djalin, Bedri Shahini merrte 8700 lekë të reja. Por që prej një viti e gjysmë, pas daljes së një udhëzimi të Ministrisë së Financave, përfiton një shtesë prej nëntëmijë lekësh në muaj. Por që prej një viti e gjysmë nuk ka mundur ta marrë këtë shtesë të pensionit të fëmijës, sepse "nuk ia jepte mjeku Llazi Binishi". Motoja e punës së këtij mjeku, sipas babait të fëmijës së sëmurë, është: "Më jep, të të jap". "Kërkon një muaj të vitit nga pensioni i djalit që të ma firmosë raportin", vazhdon Bedri Shahini.

Sipas tij, një javë më parë ky mjek i ka marrë shumën prej pesëmijë lekësh si bakshish për rinovimin e dokumenteve, por nuk ia ka firmosur raportin, pasi ishte i pakënaqur me shumën. Ai i kërkonte pensionin e një muaji të djalit të sëmurë kundrejt firmës në raport. "Fiks Fare" denoncoi dje veprimet e këtij mjeku, i cili, pasi firmos anamnezën personale të fëmijës tetraplegjik, merr pensionin e një muaji që përfiton fëmija nga shteti.

Pasi babai i fëmijës mori firmën dhe vulën e mjekut Llazi Binishi, shkoi te një infermier që punon me këtë Binishin. Ai i shtypi në makinën e shkrimit anamnezën e djalit. Ai ndihet i çuditur për faktin se si nuk ka mundur fëmija dhe prindi i tij ta përfitonin këtë pension, ndërkohë që i takon dhe gjithçka është e qartë. Në fund të punës së tij, punonjësi i spitalit për punën që bëri në makinën e shkrimit i kërkoi pesëqind lekë si hak pune. Ndërsa dy anëtarët e tjerë të komisionit, doktori patolog Robert Gusho dhe kryetari i komisionit, njëherazi drejtor i spitalit, doktori Artan Pilinci, nuk kërkojnë asnjë pagesë për të firmosur raportin.

Kur gazetari i "Fiks Fare" shkoi në zyrën e neurologut Llazi Binishi, ky i fundit sapo pa raportin që kishte firmosur kundrejt pagesës prej 15 mijë lekësh, e grisi këtë raport, duke mohuar faktin se kishte marrë para për ta firmosur. Ndërkohë, raporti mbante edhe firmat e dy mjekëve të tjerë të komisionit. Më tej, gazetari i "Fiks"-it shkoi në zyrën e drejtorit të këtij institucioni, zotit Artan Pilinci. Ai i tha se nuk kishte lidhje fare me KEMP-in, sepse nuk varen prej tij, ndërkohë që ky drejtor në raportin e fëmijës është kryetar i komisionit dhe ka firmosur në të.

Biseda e babait të fëmijës me mjekun Llazi Binishi

Mjeku Ll.Binishi: Nxirreni jashtë fëmijën.

Babai i fëmijës: Atëherë, doktor si e kemi hesapin?

Mjeku Ll.Binishi: Si të duash.

Babai i fëmijës: Se unë nuk isha gati ditën e parë. Për një muaj e ke të marrë.

I jep 10 mijë lekë. Doktori i merr lekët, i fut në xhep dhe i uron "të vaftë mbarë". E adreson babain e fëmijës për tek infermieri, të cilin e thërret me emrin Esheref.

Infermieri: I ke mbaruar të gjitha ato për të marrë statusin?

Babai i fëmijës: Unë kam një vit e gjysmë.

Infermieri: Tani ka dalë, ka 6 muaj...

Babai i fëmijës: Jo, jo, unë e kam sjellë vërtetimin e Ministrisë së Financave, e kam marrë që vjet.

Infermieri: Pse s‘ta dha ai?

Babai i fëmijës: S‘e mora, nuk... nuk ma dha, pata një çikë faj edhe unë. Po... se njeriu po të jetë i varfër, injorant ngelet.

Infermieri: Po, i takon.

Babai i fëmijës: I takon, por...

Infermieri: Merr nja 90 mijë lekë, gjynah, ti torturohesh...

Babai i fëmijës: Mua më kërkoi, unë nuk kisha, i thashë t‘i marr, t‘i jap...

Infermieri: Ah, e kuptoj!

Babai i fëmijës: Më mirë një vezë sot, se një pulë mot... S‘kisha, se nuk kursehesha. Kështu është. Sa të detyrohem tani?

Infermieri: Më jep një 5 mijë lekëshe.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›