E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeni humbi, miku im!

E lexova me qejf Gim, shkrimin "Histori me qen", botuar para do ditësh në gazetën "Shqip". Të them të drejtën, më shtove edhe më shumë humorin me vëzhgimin e hollë të historive groteske të "të dashuruarve" të Obamës në Tiranën post-Xhorxh W. Bush. Kukullat matrioshka vazhdojnë të na argëtojnë pa fund në edicionet suvenir të TV-ve klienteliste. Politikanë apo ndonjë përfaqësues i medias, me zë e figurë klani apo grupi, pranë qeverisë ose opozitës socialiste, nxituan jo vetëm të impostohen shpirtërisht dhe fizikisht, duke na dhënë një "mbidozë kurajoje" ndaj zhvillimeve të fundit politike në SHBA, pra thënë shkurt, por dhe të na imponohen përsëri mediatikisht, duke na servirur si pjatë të parë këtë gjellë të quajtur prej pak vitesh "politikë e re". Nëse gjatë inaugurimeve të Presidentit Obama në Amerikë turmat e njerëzve shkuan për histori dhe pikërisht atë e gjetën, të dashuruarit shqiptarë të Obamës shkuan për show dhe atë shfaqën sa erdhën në atdhe.

Kështu, edhe pse janë rrëzuar sistematikisht idetë e "djemve mëngëpërveshur" në garat elektorale, përsëri marrin kurajon të provojnë idetë e tyre për të n-tën herë. Aventurierë të pandreqshëm? Them se po. Sipas të gjitha gjasave, të dashuruarve rozë me politikën e Obamës, u ka kaluar koha në këtë vend. Përfundimisht janë të vonuar për t‘u ekzaltuar me stilin Obama në politikë. Mirë do të ishte ta rivendosin në afat ekzaltimin. Entuziazmit të tyre sot i ka ikur me kohë vakti. Them u ka ikur, sepse duhet ta shprehnin me kohë entuziazmin. Jo se janë të moshuar, por se janë mosmirënjohës.

E harruan shpejt trampolinën që kërcyen. I prunë për gjithë natën në kolltukë ministrorë. Kjo ishte koha më e motivuar për t‘u jargavitur, sepse nga njerëz pa ngjyrë u bënë me pak ngjyrë e më pas shumëngjyrësh. Në krah të Obamës, në ceremonitë përuruese qëndronte pothuajse i tërë stafi i ish-presidentit Bill Klinton, të para tetë viteve. Me këtë ekip kërkon t‘ia dalë krizës edhe Presidenti Obama sot.

Këto "djemtë tanë mëngëpërveshur", si kopjues të rëndomtë gjuhe dhe stilesh, po na thonë: Do t‘ia dalim! Votoni për ne! Me se? Ta zgjidhim në "Facebook" apo me forcën e pushtetit të Bashkisë së Tiranës pa buxhet do t‘ia dilni çuna? Premtimi popullor i Barak Obamës, në ceremoninë inauguruese për "ribërje të Amerikës", nuk ka lidhje me papërgjegjësinë e këtij takëmi të rritur mes OJF-ve. Duke folur në ceremoni, z.Obama tha: "… e kuptuan se vetëm pushteti nuk mund të na mbrojë dhe as na jep të drejta të bëjmë si të duam. Ata e dinë se fuqia jonë shtohet përmes përdorimit të kujdesshëm, siguria jonë buron nga drejtësia e kauzës sonë, forca e shembullit tonë, modestia dhe përmbajtja". Këto janë vlerat.

Tani lajmi!

Pas kësaj shfaqjeje prej amoku dashurie me Obamën, do t‘i thosha lexuesit edhe një detaj nga e vërteta e plotë e kësaj "Historie me qen".

Po, "Histori me qen" e autorit Agim Isaku është e vërtetë deri pak para pikës së mbylljes së atij shkrimi. Por, të më falësh miku im. Si autor i tregimit të "Historisë me qen", më prano të jap edhe një lajm të keq, në funksion të së vërtetës së "Histori me qen".

Po ta jap ty dhe lexuesit, për ta mësuar deri në fund si përfundoi historia.

Qeni që bëri histori, me prejardhje nga fshati i thellë i Mezhgoranit, humbi një ditë vere. I iku të zotit pa nam e nishan. Iku papandehur e pa lehur. Në drejtim të paditur, thanë ca zëra në lagje. Dhimbja mbajti pak ditë, por më tej ajo u mbyll deri në harresë.

Qeni ishte anonim dhe pa kartelë identiteti. Tashmë dihet se, te ne, akoma nuk janë pajisur me identitet njerëzit e jo më qentë. Kështu ka ndodhur rëndom në vendet në tranzicion, me të pabindurit dhe të "fortët". Nejse, çdo e keqe e ka një datë për t‘u ndarë.

Më pas, qentë e ardhur të racës u shtuan mes tyre me këlyshë të rinj. Këlyshë të bukur e inteligjentë. Këta këlyshë ruajnë dhe sot me fisnikëri vilën në breg të Jonit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›