E Diel, 1 Nëntor 2026

Teodor Laço: Ju tregoj surprizat në romanin e ri

Pas rreth 50 veprave në prozën e gjatë, përmbledhje me tregime e novela, drama, komedi, publicistikë, skenarë filmash, shkrimtari i njohur Teodor Laço sjell para lexuesit romanin "Vrasja e buzëqeshjes" dhe librin publicistik, "Një dritare në Kremlin" (nga Hrushovi te Putini). Sot të dyja veprat do të promovohen nga instituti i librit dhe promocionit, "Toena", në orën 18:00, në sallën "Tefta Tashko", në Ministrinë e Kulturës. Pas kësaj, shumë shpejt Teodor Laço deklaron se do të sjellë për publikun një roman të ri. Lufta italo-greke do të jetë kësaj here në qendër të romanit të ri të cilin ka vendosur ta titullojë "Mjegull". Shkrimtarit, ideja për të shkruar këtë vepër, i ka lindur në ‘70-ën. Në këtë roman të ri ai ka vendosur të hedhë kujtimet e tij të fëmijërisë, por edhe fakte historike. "Përveç të tjerave, për herë të parë kam kuturisur të përshkruaj skena betejash dhe të jap në mënyrë të letrarizuar kronikat e kohës në optikën e shtabeve të ushtrive ndërluftuese", zbulon shkrimtari Teodor Laço.

"Vrasja e buzëqeshjes" është një roman që i drejtohet sidomos lexuesit të moshës së re. Ju nuk keni shkruar më parë për këtë moshë. E konsideroni një sprovë?

Nga pikëvështrimi që personazhet kryesore aty janë 14-15 vjeçarë, vlerësimi juaj është i saktë. Por problemi i romanit është i gjerë, një plagë djegëse për shoqërinë shqiptare të kohës. Gjakmarrja ka prekur e kushtëzuar jetët e dhjetëra familjeve dhe në këtë tablo të zymtë, qerthulli më i errët është ai ku sillet fati, e ardhmja e fëmijëve të ngujuar. Në romanin tim, për një krim absurd të të atit, një djalosh 14-vjeçar, plot dhuntia artistike, detyrohet të ngujohet, ndërkohë që i ati është fshehur për të shpëtuar nga gjakësi. Një situatë e tillë është vrastare, veçanërisht për këtë moshë.

Dhe cila është zgjidhja që propozoni ju për këtë rast?

Do të shuaja kureshtjen e lexuesit po ta tregoja. Gjithsesi, mendimi im është se shteti dhe opinioni shoqëror duhet të bëjnë shumë më tepër se deri më sot, për ta rrudhur deri në skaj këtë dukuri, zhdukja e së cilës, në një botë me armë, duket e vështirë. Kurse për krimin, duhet ndëshkuar ai që e bën dhe jo familja e të afërmit të tij.

Si vijnë adoleshentët në romanin tuaj? Duke qenë se ngjarjet ndodhin në veri të vendit, a janë ata të ngjashëm me adoleshentët e Tiranës sot?

Dëshirat, pasionet, ëndrrat e kësaj moshe, madje të çdo moshe, nuk varen nga krahina ku të ka hedhur fati. Por sigurisht ka dallime në psikologji, sepse rrethanat e formimit të karakterit nuk janë të njëjta. Djemtë e qyteteve më të mëdha janë më të informuar, më çapkënë, më të zhurmshëm dhe disi më vanitozë, kurse ata të fshatit e të provincave janë më ambiciozë, disi të fshehtë, por me shumë të dhëna për të afirmuar shpejt vetveten.

Po ju tregoj një kuriozitet. Në vitet ‘80, kur unë merresha me talentet e reja në Lidhjen e Shkrimtarëve, poetët më të spikatur, erdhën nga Lezha, Tepelena e Tropoja. Sot disa prej tyre janë personalitete.

Të hapim tani "Një dritare në Kremlin"... Edhe publicistika për ju është një sprovë?

Jo. Para tij kam botuar një libër me shënime politike për vitet ‘90-‘96, që titullohet "Kohë për të kujtuar, kohë për të harruar" dhe librin "Bardh‘ e zi", që duke sjellë "evoluimin" e vlerësimeve për dramat e Fadil Paçramit nga kritika e partishme që i çoi ato prej majës në fund të greminës, u rreka të pasqyroj edhe atmosferën mbytëse për artin në vitin më të errët për të që ka qenë ai i Plenumit IV më 1973.

Dhe ç‘mundët të shihnit ju në atë "dritare" që hapet me Hrushovin e mbyllet me Putinin?

Asgjë që nuk e kanë parë të tjerë para meje. Përndryshe do të duhej të isha detektiv. Origjinaliteti mëton të qëndrojë në përzgjedhjen midis morisë së materialeve publicistike e arkivore që më kanë intriguar dhe më kanë dhënë dorë për të përdorur penën e shkrimtarit, duke synuar njëherit që lexuesi shqiptar të marrë informacione sa më pikante nga jeta private dhe bëmat politike të gjashtë drejtuesve (pas Stalinit) të këtij vendi të madh e me peshë të rëndë në zhvillimet botërore, Hrushov, Brezhnjev, Andropov, Gorbaçov, Jelcin e Putin. Në rastin e këtij të fundit, meqë mund t‘i ndiqja edhe vetë nga afër zhvillimet për shkak të detyrës si diplomat në Moskë, kanë marrë përparësi edhe analizat sociale e politike dhe proceset ekonomike të këtij shekulli, prandaj edhe kapitulli që i përket këtij Presidenti është edhe më i gjatë.

Meqë libri vërtitet kryesisht midis këtyre figurave historike, cilat mund të shihen si vlerësimet tuaja si shkrimtar e publicist?

Në fillim të librit unë them se ai është një shartim midis historisë me fiksionin. Vetëkuptohet, përparësinë e ka historia, por për të karakterizuar epokën e secilit, unë kam pëlqyer gjetje letrare që thelbësojnë kohën dhe jo individin. Kapitulli për Hrushovin titullohet "Shkrirja e akujve", sepse ai pati meritën historike të fillimit të destalinizimit dhe të një lloj komunizmi më liberal (që nuk u pranua nga Kina e nga Shqipëria). Ai i Brezhnjevit, titullohet "Ujëra të ndenjura", sepse në 18 vitet e drejtimit të tij, çdo gjë mbeti në një përgjumje kënete. "Një liri e dhuruar" është quajtur kapitulli mbi Gorbaçovin, "Rrëzimi i kështjellësi" ai kushtuar Jelcinit dhe "Zgjimi i ariut", kapitulli që i kushtohet Presidentit Putin. Metaforat besoj që flasin vetë...

Keni deklaruar se shumë shpejt do të jepni për botim një roman të ri mbi luftën italo-greke. Besoni se do të sillni një surprizë me të?

Sa herë ulet e merr penën, shkrimtari beson se do të bëjë një surprizë, pra do të sjellë diçka të re. Sigurisht mbeten lexuesit e kritikës ta vlerësojë nëse ia ka dalë apo është vërtitur si kali në lëmë...

Që do të thotë?

Se ka përsëritur vetveten. Ca më keq nëse ka përsëritur të tjerët...

Mendoni se e keni kapërcyer këtë rrezik?

Besoj. Është një realitet e një shoqëri në një kohë lufte, ku bëhet pjesëmarrëse pa dashur. Në shekullin e shkuar, për disa krahina të jugut kjo ka qenë lufta italo-greke në vitet ‘40-‘41. Nuk mëtoj se kjo kohë është e paprekur fare nga letërsia jonë, por nuk di ndonjë vepër ku fatet e popullit tonë gjatë kësaj lufte të të huajve në trojet e tij të jenë vënë plotësisht në optikën krijuese. Përveç të tjerave, për herë të parë kam kuturisur të përshkruaj skena betejash dhe të jap në mënyrë të letrarizuar kronikat e kohës në optikën e shtabeve të ushtrive ndërluftuese.

Si keni vendosur ta titulloni romanin tuaj të ri?

"Mjegull". Edhe kjo është një metaforë. Një paradigmë midis kushteve atmosferike dhe gjendjes së tymtë nëpër të cilën vërtiten jetët e personazheve, dashuritë e urrejtjet e tyre, lufta dhe vdekja.

Pra zotëron tragjizmi në "Mjegull"?

Nuk mungon. S‘kish sesi kur shkruan për luftën, por nuk është një qëllim në vetvete. Një situatë e tillë mund t‘i gjymtojë ëndrrat e njeriut, por nuk mund t‘i vrasë përfundimisht.

Pas çdo tuneli, ka një dritë. Që të mos keqkuptohem, kjo nuk është drita që u premtua nga komunistët. Ishte drita e shpresës që rron te gjithkush, se jeta do ta mundë vdekjen.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›