E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brazili, ekonomia e gjashtë në botë

Qendra për Kërkime Ekonomike dhe Biznes ka publikuar tabelën e ligës ekonomike në botë. Befasia e këtij viti është se Brazili ka parakaluar Britaninë si ekonomia e gjashtë më e madhe në botë.

Vendi që më shpesh identifikohet me futbollin dhe getot, që njihen me emrin favelas, po bëhet një fuqi e madhe ekonomike për shkak të rezervave të mëdha natyrore dhe rritjes së një klase të mesme, të pasur me para të gatshme.

Në vend të parë janë sërish Shtetet e Bashkuara, të pasuara nga Kina, Japonia, Gjermania e Franca. Italia është në vendin e tetë, kurse Rusia ka mbërritur në vendin e nëntë, duke parakaluar Indinë, e cila ishte më parë në vendin e nëntë. Aktualisht India është në vendin e dhjetë.

Një nga hartuesit e raportit thotë se Brazili ka një potencial të jashtëzakonshëm. Burimet e mëdha ndodhen kryesisht në basenin e Amazonës.

“Brazili, ndryshe nga Kina, është një demokraci, që është më tërheqëse për investitorët. Kjo do të thotë se vendi nuk do hyjë në trazira civile siç mund të ndodhë në një kohë në Kinë,” thuhet në raport.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›