Tirana shiti ndeshjen? Federata Norvegjeze padi në UEFA

Pikëpyetje të mëdha mbi skuadrën e Tiranës për trukim ndeshjesh. Federata Norvegjeze ka bërë të ditur se do t`i drejtohet UEFA-s për dyshime të forta në lidhje me ndeshjen e kupës Europa League mes Alesundit dhe Tiranës.
Në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në Norvegji, Tirana dyshohet se e ka humbur me qëllim ndeshjen me rezultatin 0-5, ndërkohë që kompania kombëtare e llotarive “Norsk Tiping” ka sinjalizuar Federatën për baste të dyshimta për këtë takim, në mënyrë të vecanë në Azi, sidomos gjatë zhvillimit të ndeshjesh.
Zëdhënësi i “Norsk Tiping”, Einar Busterud ka bërë të ditur për “AFP”-në se me kalimin e minutave u rritën shumë bastet që kjo ndeshje do të mbyllej me rezultatin 5-0.
Sipas Federatës Norvegjeze, por edhe kompanisë së llotarisë kombëtare “Norsk Tiping”, që organizon vetë baste të tilla, Alesundi nuk është i dyshuar për ndikim në këtë rezultat.
Ndërkohë që drejtuesit e Tiranës për atë humbje të turpshme kanë bërë të ditur se faktor kanë qenë fusha artificiale, mungesa e ushqimit apo zbrazëtia e minibareve në hotel.