Brazili mund Kilin, gjen Holandën
Leonard Karaj
Brazili eliminon lehtësisht Kilin, duke kaluar në çerekfinalen e këtij Botërori, ku e pret Holanda e Bert Van Marvjik. Ndeshja do të luhet më 2 korrik ora 16:00
Ndërkohë përsa i përket takimit të mbrëmjes së djeshme, Brazili dominoi totalisht lojën duke shënuar edhe tre gola me anë të Juan, Luis Fabianos dhe Robinjos. Por më tepër se golat, ky Brazil tregoi se luan futbollin më të mirë për momentin në këtë Botëror. Një skuadër që di të mbrohet mirë dhe ka një kundërsulm “vrasës”. Kaka, Robinjo, Bastos e Luis Fabiano formojë një katërshe magjike, e cila triumfoi edhe mbrëmë ndaj kilianëve të Bilesas, edhe pse ky i fundit ishte munduar që të hidhte në fushë një skuadër mbrojtëse. Goli i parë erdhi nga një goditje këndi, ku mbrojtësi i Romës, Juan “fluturoi” më lart se të gjithë duke çuar topin në cepin më të largët të portës. Tri minuta më vonë, pas një kundërsulmi të frikshëm Bastos-Kaka-Luis Fabiano, ky i fundit shmang edhe portierin dhe me portën bosh çon topin në rrjetë. Nuk mund të mungonte edhe Robinjo në këtë natë të magjishme, ku pas një sulmi pa shumë pretendime në fakt të Brazilit, hyn në zonë dhe lëshon një predhë që shpon për herë të tretë portën kiliane. Në minutat në vazhdim, tekniku Dunga mendoi edhe për takimin e 2 korrikut ndaj Holandës, duke zëvendësuar Kakanë, Luis Fabianon dhe Robinjon. Ndërkaq Brazili dhe Holanda janë ndeshur nëntë herë me njëra-tjetrën, ku latino-amerikanët janë në avantazh. Brazili ka fituar 4 ndeshje, duke përfshirë këtu edhe 4-2, e arritur në Kupën e Botës 1998 pas kohës shtesë. Koha e rregullt pati përfunduar 1-1. Ndërsa tri ndeshje kanë përfundur në barazim, që të tria 2-2. Vetëm dy fitore i përkasin Holandës edhe këto të arritura në përballjet e para mes këtyre dy skuadrave.
Brazil-Kili 3-0
Shënues: Juan 35', Luis Fabiano 38', Robinjo 59'
Kartonë të verdhë: Kaka 30', Raimres 71’/ Vidal 47’, Fuentes 68’, Millar 80’
Gjyqtarë: Hauard Ueb (ANG)/ D.Kan dhe M.Mullarkej
Brazili: Julio Sesar, Maikon, Lucio, Juan, Bastos, Xhilberto Silva, Luis Fabiano (Nilmar 76’), Kaka (Kleberson 81’), Robinjo (Xhilberto), Dani Alves, Ramires. Trajner: Dunga
Kili: Klaudio Bravo, Fuentes, Isla (Millar 62’), Kontreras (Tello 46’), Karmona, Sançez, Vidal, Humberto Suazo, Mark Gonzalez (Valdivia 46’), Bosezhur, Jara. Trajner: Bilela
Përballjet
02/05/1963 (M)
Holandë-Brazil 1-0
03/07/1974 (KB)
Holandë-Brazil 2-0
20/12/1989 (M)
Holandë-Brazil 0-1
09/07/1994 (KB)
Holandë-Brazil 2-3
31/08/1996 (M)
Holandë-Brazil 2-2
07/07/1998 (KB)
Brazil-Holandë 1-1
(4:2 në shtesë)
05/06/1999 (M)
Brazil- Holandë 2-2
08/06/1999 (M)
Brazil-Holandë 3-1
09/10/1999 (M)
Holandë-Brazil 2-2
BILANCI: 9 ndeshje; 2 fitore për Holandën, 3 barazime dhe 4 fitore për Brazilin duke përfshirë këtu edhe 4-2, e arritur në Kupën e Botës 1998, pas kohës shtesë. Koha e rregullt përfundoi 1-1.