E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roben-Shnajder i eliminojnë duke “ecur” sllovakët



Leonard Karaj

Një Holandë racionale përballë një Sllovakie shpërdoruese. Dy gola, nga një për çdo pjesë me firmë të Roben e Shnajder, bëjnë të pavlefshëm penalltinë-gol të Vitek në sekondën e fundit të takimit
“Tulipanët” kalojnë për në çerekfinale ndërsa Sllovakia kthehet në shtëpi, por jo e pakënaqur përderisa arriti objektivin e saj primar: kalimin e fazës së grupeve, duke eliminuar as më pak e as më shumë se Kampionët e Botës në fuqi, Italinë. Kështu Holanda kalon në çerekfinalet e një Kupe Bote pas 12 vjetësh mungesë (që prej 1998-ës). Por ajo që vlen më shumë është fakti se kjo skuadër edhe pse nuk po “shpërthen”, me lojën e saj ka mundur të marrë maksimumin në të katër ndeshjet e zhvilluara deri tani, duke tejkaluar edhe ekipin finalist të Botërorit 1974 dhe 1978. “Tulipanët” prezantohen para sllovakëve me Arjen Robenin në fushë nga minuta e parë dhe me Rafael van der Vartin në pankinë. Ylli holandez luajti ndeshjen e parë si titullar pas dëmtimit duke treguar menjëherë cilësitë e tij. Sa herë që Roben ka topin në këmbë, për mbrojtjen sllovake ka panik. Por kjo gjë nuk zgjati shumë pasi në minutën e 18-të Roben realizoi golin e tij të parë në këtë Botëror, duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij. Sllovakia pëson një shok duke mos arritur asnjëherë të afrohet te porta e Stekelenburg, aq sa në pjesën e parë djemtë e Vladimir Vajs nuk arritën të gjuanin asnjëherë në portë. Tjetër gjë pjesa e dytë. Sllovakët mëshuan drejt portës së “portokallinjve” duke përfituar edhe nga shumë gabime në pasime në mesfushë të holandezëve. Në fillim Miroslav Stosh dhe më pas Robert Vitek patën shanset më të mira për të barazuar rezultatin dhe për ta çuar të paktën lojën në shtesë. Por atëherë kur pritej goli sllovak erdhi kundërsulmi vdekjeprurës i “tulipanëve”. Dirk Kajt stopon mirë një top në karmuan e majtë të sulmit holandez duke lëshuar një asist në qendër të mbrojtjes së Sllovakisë për Shnajder, i cili shënon pa shqetësim golin e dytë. Në sekondat e fundit të lojës, Vitek ktheu në gol një penallti që vlejti thjesht për statistikë.

Holandë-Sllovaki 2-1

Shënues: Roben 18', Shnajder 84’/ Vitek 90’
Kartonë të verdhë: Roben 31', Heitinga 90’/ Kucka 40’, Kopunek 72’, Skrtel 85’
Gjyqtarë: Alberto Uundiano (SPA)/ F.Martinez dhe J.Jimenez
Holanda: Stekelenburg, Van der Viel, Heitinga, Matijsen, Van Bronkhorst, Van Bomel, Kajt, De Jong, Van Persi (Huntelar 80’), Shnajder, Roben (Elia 71’). Trajner: Bert van Marvjik
Sllovakia: Musha, Pekarik, Skrtel, Zabavnik (Jakubko 87’), Vajs, Vitek, Stoh, Durica, Hamsik (Sapara 87’), Jendrisek (Kopunek 71’), Kucka. Trajner: Vladimir Vajs

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›