Mini-Shengeni Ballkanik, ëndërr apo realitet i afërt?
Fatos Çoçoli
Takimi i katër Presidentëve të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, dy ditë më parë në Prizren të Kosovës, na ka ngjallur shpresa aspak virtuale. Nuk është një përpjekje thjesht diplomatike, aq më pak një nismë e përmbushur me mesazhe kortezie, edhe pse të tilla sigurisht që ky proces ka. Këta katër burra shteti nuk është se nuk dinë ç'të bëjnë me kohën e tyre dhe takohen mes vendit. Vendet tona i lidh jo vetëm fqinjësia territoriale. Kemi një mijë fije që na lidhin, dhe jo vetëm me Kosovën. Jemi aq afër, japim e marrim aq shumë me njëri-tjetrin. Tregtia e Shqipërisë me Kosovën ka shpërthyer dhe lulëzuar, duke arritur në 83 milionë euro vitin e kaluar. është i vetmi vend me të cilin kemi një bilanc pozitiv tregtar në botë. Më shumë eksportojmë, se sa importojmë. Tregtia me Maqedoninë është në nivelin e 99 milionë eurove. Nga Maqedonia importojmë shufra hekuri, barna mjekësore dhe çimento. Kryesisht eksportojmë minerale. Tregtia me Malin e Zi është në nivelin 26 milionë euro. Importojmë shumë produkte bujqësore nga toka pjellore malazeze, si dhe lëndë drusore nga pyjet e këtij vendi. Eksportojmë minerale dhe metale. Një treg i përbashkët mes katër vendeve, që t'i shërbejë tetë milionë banorëve të katër vendeve tona do të ishte një zhvillim e ogur real për të përmirësuar jetët tona. Do të mund të intensifikonim turizmin, sidomos nga Mali i Zi mund të presim shumë më tepër pushues malazezë, por edhe ukrainas e rusë. Nga maqedonasit mund të marrim praktikat dhe organizimet e tyre të mira të fermave bujqësore, të mbështetura nga shteti. Ndërsa dihen të mirat dhe pasuritë e bashkimit tregtar me Kosovën. Nëpërmjet rrugës së kombit, prodhimet e Fushë-Kosovës mund të vijnë në tregjet tona dy herë në vit. Mund të vijnë speci dhe patatja kosovare. Sikurse të ardhurat e diasporës së vjetër e të sotme kosovare mund të investohen në brigjet shqiptare. Nëse Porti i Shëngjinit i jepet me koncesion Qeverisë kosovare, do të përfitonin jo vetëm Kosova e Mali i Zi, por edhe Serbia. Duhet të besojmë në këtë hapësirë, që mund të shndërrohet shumë shpejt në një truall pjellor biznesesh e sipërmarrjesh nga të katër vendet, të lidhura me partneritete e marrëveshje gjithfarësh. Dhe për këtë, të katër kryetarët e shteteve tona mund të bëjnë shumë. Dhe kanë filluar ta bëjnë. E nisi i pari Presidenti Topi me takimin në Vlorë. Prizreni ishte një plotësim i natyrshëm i filizave të mbjellura në Vlorë. Idetë po fillojnë të bëhen konkrete. Nuk janë takime formale, për t'i buzëqeshur e shtrënguar duart njëri-tjetrit. Presidenti malazez Vujanoviç përmendi në Prizren një nismë mes autoriteteve shqiptare dhe malazeze. Një model unikal, një vendkalim i përbashkët kufitar e doganor mes të dyja vendeve në Ulqin, i cili ushtron vetëm një kontroll, të vlefshëm dhe të regjistruar nga të dyja vendet. Udhëtarët dhe bizneset me maunet e tyre nuk presin, nuk harxhojnë kohën flori. Vendkalime të tilla mund të ngrihen kudo në pikat tona të kufirit me Kosovën dhe Maqedoninë. Në Prizren, Presidenti maqedonas i ftoi menjëherë tre të tjerët në Ohër. Por ndërkohë, si presidentët, edhe stafet e tyre duhet dhe mund të punojnë intensivisht. Jo vetëm në shtratin e komunikimeve verbale apo ato zyrtare. Ia vlen dhe janë të gjitha mundësitë të veprohet edhe më konkretisht. Pika kufitare unikale e Ulqinit me një kontroll të vetëm mund të shtrihet dhe të ketë shoqe në Morinë apo Qafë-Thanë. Nëse realizohet fizikisht qarkullimi i lirë i qytetarëve të katër vendeve tona, integrimi ballkanik mund të shndërrohet në një realitet paralel me integrimin në Bashkimin Europian. T'i përngjajë atij nga shumë aspekte, madje ta pararendë dhe nxisë. Nga mini-Shengeni ballkanik që nisma presidenciale po përpiqet të krijojë, mund të përfitojmë dhe përfitojmë mirëfilli të gjithë. Prandaj dhe nisma si ajo e Ulqinit duhet të jenë në axhendën e qeverive tona pa humbur kohë.