E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të dënuar me anglisht” në universitet!

Mirela Kumbaro

E pamundur të hyja, pak ditë më parë, në hollin e Fakultetit tim të Gjuhëve të Huaja, ku jap mësim që prej dy dekadash dhe ku më prisnin studentët për provimin e radhës. Një turmë e frikshme të panjohurish shtyhej dhunshëm e britshëm para sportelit të recepsionit të fakultetit. Në përpjekje për të kaluar këtë barrierë njerëzore, m’u ngjallën reflekset e vjetra të radhëve të viteve ’80, kur haheshim me njëri-tjetrin me tallona në dorë… Tallonat! po, edhe këta kishin tallona në dorë, por i quanin kupona regjistrimi. Enigma zgjati aq sa një kolegia ime më shpjegoi se gjithë ky milet dyndej e vritej për t’u regjistruar, për provimin pasuniversitar të gjuhës angleze! Me gjithë format që përdoren në fakultet për të organizuar këto provime në mënyrë periodike e duke ngritur shumë komisione për t’iu përgjigjur kërkesave, këto të fundit janë vetëm në rritje dhe anglishtja duket se është sot bima që zë më mirë dhe përhapet më shpejt në klimën e sotme të shkollimit, të « masterizimit », të punësimit, por edhe të globalizimit.
We speak english!
Kjo vetëm sa konfirmon se Shqipëria është në të njëjtin front me prirjen e gjithëpranuar të anglishtes si gjuhë e parë e huaj, provë e sundimit të modelit anglo-sakson dhe amerikan në ekonomi, komunikim, teknologji por edhe me gjerë. Askush s’besoj se ka dyshim për këtë. Sikurse nuk besoj se nevoja e përdorimit të anglishtes shumëzon me zero të gjitha gjuhët e tjera të huaja që mësohen, fliten e përdoren nga shqiptarët.
Si çdo popull i vogël, mësimi i gjuhëve të huaja është çështje mbijetese edhe për ne shqiptarët. E kemi bërë këtë në diktaturë, kur i vetmi kontakt i mirëfilltë me gjuhët e huaja ishin disa libra të shekujve të shkuar, ndërsa folësit e gjallë të anglishtes, frëngjishtes, gjermanishtes etj, në përfytyrimin tonë na dukeshin më të largët se vetë marsianët.
E bëjmë dhe sot, kur kurset e gjuhëve, institutet e huaja që ofrojnë dhe certifikojnë mësimin e gjuhëve, kontaktet teknologjike, kulturore, ekonomike, arsimore, sociale dhe migratore, janë aq të vrullshme saqë mësojmë gjuhët sikurse mësohemi dhe me ushqimin dhe ajrin e kohës.
Këtë realitet duket se duan të pasqyrojnë dhe të rregullojnë politikat e propozuara në dhjetëvjeçarin e fundit të ministrave të Arsimit, pavarësisht qeverive. Jo thjesht prej profesionit tim, por për arsyet që shtrova më lart, unë besoj fort se promovimi i gjuhëve të huaja, nxitja dhe përfshirja e tyre në programet e detyruara arsimore është një ndër instrumentet që do i ndihmoi shqiptarët në rrugën e integrimit. Sikurse besoj se shkollimi dhe komunikimi i dijeve janë shumë më të sigurtë në rrugën drejt Europës sesa kulaçi i vizave që na nxirret çdo ditë në vitrinë si mollë e ndaluar, sa nga politika jonë mjerave, aq dhe nga ndërkombëtarët që nuk e kuptojnë dot nga e lidhim ne gomarin.
Politikë in english
Kohët e fundit janë zhvilluar diskutime për ndryshimet që duhet të pësojë ligji për Arsimin e Lartë, i cili rezultoi jetëshkurtër ashtu siç ishte. Ndër të tjera, paketa e propozimeve që erdhi nga Ministri i Arsimit përmban klauzola të veçanta lidhur me detyrimin për gjuhët e huaja. Por ajo që më shtyn të shprehem sot publikisht është se ky detyrim fillon dhe mbaron me gjuhën angleze!
Konkretisht propozimi thotë se në provimet e Maturës, në nivelin e diplomës Master dhe në atë të Doktoratës futet gjuha angleze si provim i detyruar. Vetëm gjuha angleze!
Jam krejtësisht dakord që mekanizmat detyrues dhe cilësorë në mësimin e përdorimin e gjuhëve të huaja janë dozë e nevojshme oksigjeni për shkollën shqiptare në të gjitha nivelet e saj, por jam realisht e befasuar që kjo politikë përjashton të gjitha gjuhët e tjera të huaja dhe i kufizon në mënyrë taksative ato vetëm tek anglishtja, e cila e ka konfirmuar tashmë natyralisht prirjen e saj si gjuhë e parë e huaj.
Në parim, një politikë konceptohet, ndërtohet dhe vihet në zbatim për të rregulluar zhvillimin e shoqërisë dhe të tregut, për të ekuilibruar dhe kontrolluar prirjet që këto t’i përgjigjen një strategjie kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare. Por nuk shoh se cila është dobia e një politike përjashtuese (gjuhësore) e cila jo vetëm dogmatizon një realitet tashmë të vendosur, por penalizon në mënyrë të gabuar dhe me pasoja të rënda për të ardhmen parimin kryesor të Europës së Bashkuar: multilinguizmin ose ndryshe, diversitetin gjuhësor dhe kulturor. Mjafton t’i hedhim një vështrim dokumenteve dhe direktivave të BE–së në këtë fushë dhe do të kuptojmë se as dhe vendi më i vogël në Europë, dhe që mund të ketë gjuhë më të përafërta me anglishten, nuk e ka bërë këtë gabim politik!
Multilinguizmi dënohet me vdekje
Projekti Ministrisë së Arsimit do të thotë që të gjithë nxënësit do të zgjedhin qysh në fillore gjuhën angleze, meqenëse kjo u diktohet nga provimi i Maturës; do të thotë që gjithë studentët do të lënë mënjanë çdo pasion apo mundësi për gjuhët e tjera dhe do të merren vetëm me anglishten sepse kjo u kërkohet në Master; do të thotë që gjithë pedagogët, kërkuesit dhe studiuesit do të jenë të detyruar të studiojnë vetëm anglishten. Madje ata që mund të kenë një nivel shumë të mirë në italisht, gjermanisht apo frëngjisht (pa folur për të tjerat), do të duhet t’i braktisin ato dhe gjithë literaturën që kanë studiuar në ato gjuhë dhe, në një moshë ku s’është dhe aq e lehtë të fillosh një gjuhë për së pari, t’i përvishen anglishtes, ndërkohë që mund të jepnin më shumë nëse atë kohë do ta shpenzonin për ekspertizën e tyre profesionale për të shkuar drejt mbrojtjes së doktoratës.
Dhe përpos gjithë këtyre reflektimeve, çka më tronditi më shumë ishte deklarata e zotit Bardhyl Musai, këshilltari për arsim i Kryeministrit Berisha, i cili në Asamblenë e Shoqatës së mësuesve të angishtes, deklaroi se « Shqipëria do të jetë vendi i parë në Ballkan me gjuhë zyrtare të dytë anglishten » !!! Uroj që kjo të ketë qenë më shumë një shprehje entuziazmi e pakontrolluar nga ana e zotit Musai dhe jo një zbulim i një politike gjuhësore, që Kryeministri po e bën në kokë të vet dhe për të cilën na detyrohet një shpjegim publik!
Kur mendoj se si mund të jenë shqiptarët e pas 10-20 viteve, (nëse, për të zezën tonë, kjo politikë gjuhësore do të vihet në zbatim) trembem thellë! « Talenti » i aqmirëpërfolur i shqiptarëve për gjuhët e huaja do të jetë fshirë jo nga anglishtja, por nga ajo gjuhë që sot flitet në mënyrë sipërfaqësore dhe që në botë quhet « globish » si një klonim karikatural i « british ». Folësit e gjuhëve të tjera do të viktimizohen e frustrohen nga « padija » dhe më e keqja, gjuha shqipe do të pësojë deformime të pariparueshme, simptomat e së cilave po i ndjejmë qysh sot. Sondazhe të kryera sot në Europë, në mbështetje të politikave multilinguiste të BE dëshmojnë dhe paralajmërojnë një sindromë të tillë. Atëherë shqipja nuk do të jetë më shqipe por « shqipish », do të thoshte kolegu Tupja, që i ka qejf lojërat e fjalëve
Por, duke iu kthyer paketës së propozuar, unë kam disa pyetje për konceptuesit e këtij projekti politik:
1. Sa janë marrë parasysh qindra mijëra shqiptarët që jetojnë në Itali, Greqi, Gjermani, etj., studentët shqiptarë që studiojnë atje dhe në vende të tjera dhe që supozohet të joshen nga programi “brain-gain” e të kthehen të kontribuojnë në vend, qoftë duke investuar, qoftë duke u bërë pjesë e sistemit arsimor shqiptar, kur atyre nuk u njihet gjuha e shkollimit?
2. Cilat janë gjuhët më të përhapura të ndërmarrjeve të huaja që investojnë në Shqipëri, të cilat do të ishte mirë të lidheshin me shkollën si pjesë të tregut të punës apo si laboratorë të kërkimit shkencor? Sa janë marrë këto parasysh? Me sa di unë, përveç Bechtel-it ku punonjësit flasin turqisht, nuk di të ketë ndërmarrje amerikane a angleze që të jenë të pranishme në Shqipëri, përkundër atyre italiane, greke, gjermane, austriake, franceze që kanë hapur selitë e tyre e investojnë në vend.
3. A është bërë ndonjë studim për të parë se cili do të ishte efekti anësor i këtij “anglicizimi” absolut mbi gjuhën shqipe në dhjetëvjeçarët e ardhshëm dhe si duhet ekuilibruar ai?
Kolegë të tjerë mund t’i shtojnë të tjera shqetësime kësaj liste. I ftoj ta bëjnë. Në emër të multilinguizmit europian. Por, sidomos në interes të fëmijëve tanë, të shkollës shqiptare, të gjuhës shqipe dhe të ardhmes së vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›