E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapelo: Nuk jap dorëheqjen, më shkarkoni



Trajneri i Anglisë, Fabio Kapelo, është shprehur se nuk ka ndërmend të largohet nga drejtimi i Kombëtares, me gjithë eliminimin nga Kupa e Botës. “Kam biseduar me drejtuesin e Federatës Angleze të Futbollit për të ardhmen time dhe atë çfarë nuk ka funksionuar tek Anglia në këtë Botëror. Mendoj se këto elemente do të diskutohen më gjerë e më konkretisht me ardhjen time në Angli, ku do të ulemi dhe mundohemi të nxjerrin përgjegjësitë. Për të ardhmen time, më është njoftuar se Federata do të mblidhet e do të vendosë brenda 2 javëve të ardhshme. Unë personalisht kam theksuar se nuk kam ndërmend të jap dorëheqjen dhe se dëshiroj të qëndroj në krye të skuadrës deri në përfundimin e kontratës që nënshkruam në prag të fillimit të Botërorit. është kreu i Federatës ai që do të vendosë dhe unë do ta respektoj vendimin, cilido qoftë ai”, është shprehur trajneri Kapelo. Ai theksoi se lojtarët nuk treguan të njëjtin nivel loje si në stërvitje edhe në fushë. “Unë, padyshim, do të marr përgjegjësitë e mia, por vetëm ato që më takojnë. E kam theksuar disa herë se forma e lojtarëve ka qenë krejtësisht e ndryshme në fazën kualifikuese, apo në stërvitje, nga ajo e treguar në fushën e lojës. Ndoshta ishin të frikësuar apo të përfshirë nga emocionet. Momentalisht nuk mund të them pse vjen kjo gjendje, megjithatë do të mendoj për të dhe besoj se do ta zgjidh problemin në të ardhmen”, ka thënë tekniku italian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›