E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brazili si Barça e vitit 1986, humbet 4 penallti

Në rastin e katalanasve, ka qenë portieri legjendar Dukadam që priti katër gjuajtje, ndërsa brazilianët gjuajtën tre here jashtë

Katastrofa e pësuar nga Brazili, duke humbur 4 penallti dhe duke u eleminuar nga Kupa e Amerikës nuk është rasti i vetëm kur gjuajtjet e 11-metërshave të ndëshkojnë në këtë mënyrë. Një rekord i tillë, madje me më shumë kontrast ndodhi në finalen e Kupës së Kampionëve të vitit 1986 në Sevilje, ndeshje ku u përballën kampionia e Spanjës, Barcelona, dhe kampionia e Rumanisë, Steaua e Bukureshtit. Ishte ajo finale që vulosi legjendën e portierit të rumunëve, Dukadam, i cili i priti të gjitha penalltitë e gjuajtura nga lojtarët katalanas. Dukadam priti 4 penallti, duke mos lejuar të tundet asnjëherë rrjeta e tij. Alehanko, Pedrasa, Piçi Alonso dhe Markos Alonso ishin humbësit “blaugrana”. Ndonëse edhe portieri i Barçës, Urrutikoeçea, e priti një penallti, sërish Steaua e fitoi ndeshjen 2-0 pas penalltive, po ashtu si Paraguaj mundi Brazilin në këto çerekfinale të Kupës së Amerikës. Heroizmi i Dukadamit mbetet i vetmi në historinë e futbollit, ndërsa mrekullia paraguajane, Husto Vijar, ndaloi vetëm një 11-metërsh të brazilianëve, sepse 3 të tjerë gjuajtën jashtë. Fitorja e Paraguajit ishte po aq sa ajo e Steauas, 2-0, ndërsa historia njeh edhe një rast tjetër kur gjuajtjet e penalltive kanë qenë një dramë e tillë. Kjo ndodhi në turin e dytë të kupës së botës të vitit 2006, në ndeshjen mes Ukrainës dhe Zvicrës, e cila gjithashtu u përcaktua nga penalltitë dhe ku ukrainasit e Shevçenkos fituan 3-0. Atë mbrëmje, protagonisti i madh ishte portieri i Ukrainës, Shovkovski, që priti penalltitë e Shtrelerit dhe Kabanasit, ndërsa Barneta gaboi vetë. Janë, pra, raste shumë të rrallë, episode që krijojnë histori të veçanta, ashtu siç ishte kjo fatkeqësi e Brazilit të madh, yjet e të cilit e shkruajtën vetë këtë faqe pikëlluese në librin e pesë herë kampionëve të botës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›