E Diel, 1 Nëntor 2026

Plasin akuzat në Brazil, Romario: Ky, një ekip m...

SHBA- Kritika të shumta kanë vërshuar mbi Brazilin, pas eliminimit në çerekfinale të Coppa America nga Paraguaji. Skuadra e drejtuar nga Mano Menezes dominoi përgjatë 120 minutave, por nuk arriti të gjente dot rrugën e golit ndaj një skuadre të mbyllur në mbrojtje. Aleksandre Pato ishte ai që pati momentin më të mirë për 5 herë kampionët e botës, por pa mundur të realizojë.

Te penalltitë, brazilianët kanë qenë totalisht të pasaktë, duke gabuar në të katërta goditjet e tyre dhe duke u eliminuar. Disfata është komentuar me tone fataliste në Brazil, ku mediat kanë kritikuar ashpër ekipin. “Poshtërim pas mallkimit të penalltive”, është titulli i “Lance”, ndërkohë që tifozët kanë shfryrë inatin e tyre në facebook.

E përditshmja “Folha de Sao Paolo” i ka krahasuar seritë e gabimeve te penalltitë me atë të humbur nga Roberto Baxhio në finalen e vitit 1994. Por, komenti më i rëndë ka qenë ai i ish-sulmuesit Romario, publikuar në Tuiter. “Çfarë skuadër plehrash, - shkruan ai. – Këta budallenj nuk mundën të shënonin dot as një penallti”. Ndërkohë, UOL Esporte shkruan se ky është një eliminim që djeg, duke parë dominimin e Brazilit. Kritika ka patur edhe mbi trajnerin Mano Menezes, por Federata Braziliane e ka konfirmuar atë në krye të kombëtares pasditen e së hënës.

Eliminimi i Brazilit ka qenë zhgënjimi i dytë i madh i Coppa America, pas atij të Argjentinës ndaj Uruguajit. Të dyja këto skuadra u mundën me penallti. Në rastin e Argjentinës komentet ishin më dramatike, madje trajneri Batista u quajt një analfabet futbolli dhe një i paaftë.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›