Tetë përforcime për Prishtinën
Prishtina ka bërë ‘boom’ duke u përforcuar me tetë futbollistë. Elhami Berisha (Flamurtari), Qëndrim Sejdiu (KEK-u), Mehë Uka (Kosova e Vushtrrisë) dhe katër juniorët e Shkollës së Futbollit të Prishtinës, Rron Kurtolli, Gentrit Begolli, Durim Krasniqi e Durim Gashi janë përforcimet më të reja të klubit prishtinas.
Lajmin e ka bërë të ditur nënkryetari i nënkampionit të Kosovës, Afrim Muçiqi, në një konferencë për shtyp të mbajtur të hënën. Ai e ka konfirmuar edhe marrëveshjen me mesfushorin e Hysit, Petrit Osmani, i cili nuk ishte i pranishëm në konferencë. Muçiqi ka shtuar se Prishtina nuk do të ndalet me kaq.
“Aty ku shtabi teknik konsideron se ka mangësi, ne do të sjellim përforcime të reja. Ka kohë ende deri në përfundim të afatit kalimtar dhe do ta shfrytëzojmë maksimalisht këtë”, tha ai.
Numri dy i Prishtinës ka shtuar se si asnjëherë më parë, në ekipin e parë kanë zënë vend edhe shumë juniorë. “Gjithmonë ka qenë politikë e klubit që në ekipin e parë të ketë sa më shumë juniorë. Ne, sipas mundësive, edhe i kemi inkuadruar ata në ekipin e parë. Por, këtë edicion, sipas të gjitha gjasave, do të ketë më së shumti juniorë. Vetëm tash i kemi angazhuar katër prej tyre”, theksoi Muçiqi.
Muçiqi ka bërë zyrtarë edhe emrat e futbollistëve që janë larguar nga Prishtina. “Isuf Llumnica ka shkuar në Zvicër dhe shpresojmë që karrierën ta vazhdojë atje. Driton Vokshit i ka skaduar kontrata sikurse edhe portierit Behar Blakqori. Këta dy futbollistë nuk do të jenë edicionin e ri pjesë e Prishtinës, sikurse edhe Labinot Haliti e Lapidar Lladrovci. Ndërkohë, Genc Sermaxhaj është lëshuar si huazim për gjashtë muaj. Edhe Argjend Mustafa ka kërkuar të largohet”, potencoi Muçiqi.
Njëri nga përforcimet e Prishtinës, Elhami Berisha ka thënë se ndihet shumë i nderuar që për dy vjet do ta veshë fanellën e ekipit më të madh kosovar. “Gjithmonë ka qenë dëshirë e imja që të luaj për Prishtinën dhe tashmë kur kam arritur marrëveshje, ndihem shumë i lumtur. Shpresoj ta jap maksimumin dhe të kontribuoj sa më shumë për ekipin e ri. Prishtina është një ekip që gjithmonë lufton për trofe, andaj edhe unë kam ardhur për të fituar diçka”, u shpreh Berisha. Edhe përforcimi tjetër i kryeqytetasve, Qëndrim Sejdiu shpreson që në edicionin e parë me Prishtinën ta fitojë titullin.
Trajneri Ramiz Krasniqi është ndarë i kënaqur me përforcimet, derisa shpreson që ata të jenë në nivelin e duhur. Ndërkohë, Prishtina të hënën e mbajti edhe tubimin e parë me lojtarë, ndërsa ishin të pranishëm 20 sosh.